Arbëri

Brestovci-qytetarëve: Vendosni vetë ku doni t’i paguani mbeturinat

Një konfuzion të madh për qytetarët se ku duhet t’i paguajnë faturat e mbeturinave, e kanë krijuar Komuna e Prishtinës dhe ndërmarrja “Pastrimi”.

Përderisa në e-Kosova figurojnë faturat e lëshuara nga “Pastrimi”, qytetarëve u ka ardhur një faturim i dyfishtë nga Komuna e Prishtinës përmes postës.

Shumë prej tyre kanë mbetur pa i paguar faturat, pasi nuk po dinë se kujt duhet t’i drejtohen.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, thotë se derisa të merren vesh palët mes vete, qytetarëve u mbetet të vendosin se ku duan të paguajnë.

Në asnjë rast, sipas tij, pagesa e tyre nuk do të humbë.

“Meqenëse është një situatë konfuze dhe presim një vendim të Gjykatës Kushtetuese, qytetarët po përballen me një faturim të dyfishtë. E drejta është që qytetarët të paguajnë te Komuna e Prishtinës, por në rast se dikush e paguan edhe te ndërmarrja ‘Pastrimi’ ai nuk do të detyrohet të paguajë edhe njëherë në Komunën e Prishtinës sepse ne presim deri në zgjidhjen e kësaj problematike dhe nëse vendimi i gjykatës kushtetuese do të jetë në favor të ‘Pastrimit’ do t’ia kthejmë pagesat atyre. Qytetarëve u mbetet që të vendosin vetë se ku do të paguajnë derisa të ketë një vendim nga organet ligjore”, ka thënë ai.

Gjithë kjo mosmarrëveshje ka ndodhur si rrjedhojë e plotësim-ndryshimit të rregullores për grumbullimin e mbeturinave.

“Kjo është si rrjedhojë e një plotësim-ndryshimi të rregullores që ka ndodhur në Kuvendin Komunal me iniciativën e Leutrim Retkocerit. Me këtë rregullore ‘Pastrimin’ e bën si ndërmarrjen e vetme përgjegjëse për grumbullimin e mbeturinave. Me këtë anë është bërë edhe bartja. Duke e kontestuar këtë procedurë kemi bërë ankimim në Gjykatën Kushtetutës dhe ne kolaudojmë që një lëndë kur ka të bëjë me një akt gjyqësor ajo duhet të pezullohet”, ka shtuar Brestovci.

Në anën tjetër, kompania “Pastrimi” nuk po heq dorë nga faturimi duke thënë se kjo u takon atyre e jo Komunës.

“Kjo ndërhyrje nga ana e Komunës është jo vetëm e paligjshme dhe e paprecedentë, por edhe qëllimkeqe për ta dëmtuar funksionimin e një shërbimi publik jetik. Veprime të tilla krijojnë qëllimshëm konfuzion te qytetarët, cenojnë besimin në institucionet publike dhe rrezikojnë qëndrueshmërinë financiare të ndërmarrjes sonë komunale. Me këtë po tentohet t'i hapet rrugë tenderëve mbi 18.5 milionë euro me operatorët privatë të përzgjedhur nga vetë ata”, thuhet në reagimin e tyre.

Sipas zyrtarëve të ndërmarrjes “Pastrimi”, ata tashmë kanë përgjigjen zyrtare të Komunës se nuk ekziston asnjë pezullim i rregullores së miratuar nga Kuvendi Komunal, në dhjetor të vitit 2024.

E Komuna e Prishtinës tashmë veçse ka marrë edhe dy operatorë privatë, përkundër faktit se kjo bie ndesh direkt me rregulloren në fuqi.

“Për shkak të një gjendjeje emergjente që e kemi shpallur, kemi iniciuar një procedurë për një periudhë gjashtëmujore që të marrim dy operatorë privatë. Kjo procedurë është në prokurim dhe të shohim se si do të rrjedhë. Janë përzgjedhur dy operatorë ekonomikë dhe nuk jam në dijeni të emrave të tyre”, ka shtuar Brestovci.

Përderisa këto dy institucione nuk po mund të merren vesh mes vete, qytetarët po vazhdojnë të përballen me vonesa në grumbullimin e mbeturinave.