Pesë policë janë sulmuar nga qytetarët gjatë ditës së shtunë. Për këtë janë arrestuar tre persona e dy të dyshuar janë ende në arrati. Rastet e tilla vlerësohet se ndodhin më së shumti gjatë sezonit të verës për shkak të konsumimit të alkoolit dhe rritjes së numrit të popullsisë me ardhjen e mërgimtarëve
Katër policë janë sulmuar fizikisht të shtunën në Gjakovë gjatë intervenimit në një rast të raportuar për të shtëna me armë zjarri.
Sipas raportit policor, për këtë rast janë arrestuar dy burra dhe një grua. E të lënduarit i janë nënshtruar tretmanit mjekësor.
Rasti ka filluar kur njëri nga policët sa ishte jashtë detyrës zyrtare është sulmuar nga dy të dyshuarit. Pastaj për intervenim janë paraqitur dhe tre policë të tjerë të cilët janë ballafaquar fizikisht me të dyshuarit.
“Është raportuar për të shtëna me armë zjarri ku në vendin e ngjarjes janë hasur dy të dyshuar meshkuj kosovarë të cilët dyshohet që e kanë sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar zyrtar policor i cili kishte qenë jashtë detyrës zyrtare”, është thënë në raport. “Viktima është dërguar për tretman mjekësor, ndërsa janë arrestuar tre të dyshuarit dy meshkuj dhe një femër kosovar/e, ku gjatë arrestimit të dyshuarit kanë shfaqur rezistencë dhe kanë pësuar lëndime edhe tre zyrtarë policorë”.
Gjatë ditës së shtunë e ka pësuar edhe një zyrtar policor në Gjilan. Ai është goditur nga një makinë, pasi ka ndaluar meqë ishte kyçur në një rrugë në kundërshtim me rregullat e komunikacionit.
Zyrtari policor ishte me biçikletë kur u godit nga vetura.
“Të dyshuarit ende të panjohur – i është prezantuar si person zyrtar dhe ia ka tërhequr vërejtjen, por i dyshuari jo vetëm që nuk iu bind urdhrave të zyrtarit policor, por me veturë e godet zyrtarin policor me gjithë biçikletë dhe largohet nga vendi i ngjarjes. Si pasojë e goditjes, zyrtari policor ka pësuar lëndime dhe ka pranuar tretman mjekësor”, është thënë në raport, ku theksohet se të dyshuarit ende nuk janë kapur nga policia.
Sipas ish-policit të ekipit të patrullave, Visar Rrecaj, raste të tilla ndodhin më së shumti gjatë sezonit të verës. Ai ka thënë se shkaku i konsumimit të alkoolit dhe rritjes së numrit të popullsisë për shkak të mërgimtarëve, policët përballen me persona që refuzojnë t’i përfillin urdhrat e autoritetit.
“Natyrisht që në punën policore pritet gjithmonë që qytetari të sillet në mënyrë agresive ndaj policit. Gjithmonë pritet që të eskalojë situata e sidomos në sezonin e verës, ndërrimet e natës, sezonin kur hapësirat mbushet me njerëz nga mërgimi dhe natyrisht në kësi situata, polici nuk duhet të jetë kurrë i relaksuar dhe duhet të jetë i përqendruar në detyrën e tij në mënyrë që mos t’i eskalojë situata në të cilat ajo përballet gjatë ndërrimit”, ka thënë ai.
Sipas Rrecajt, personat që refuzojnë të respektojnë urdhrin e zyrtarit policor duhet të marrin dënim meritor.
“Tendenca për mosrespektim të policisë ka pasur dhe do të ketë gjithmonë, por Policia e Kosovës e ka fituar këtë respekt të veçantë në raport me qytetarit. Por personat e arrestuar duhet të marrin dënimin meritor që të vendoset rendi dhe ligji. Këto incidente kryesisht janë incidente të sezonit dhe kemi raste kur kryesisht ndodhin nëpër vikende, kur njerëzit dëfrehen dhe konsumojnë alkool, pra nuk ka humbje të respektit pasi këto i konsiderojë raste të izoluara”, ka thënë ai.
Para këtyre dy raste me pesë policë të sulmuar, në muajin gusht janë raportuar pesë raste për sulm ndaj zyrtarëve policorë, e dy raportime për kanosje. Për këto incidente janë arrestuar tetë persona.