Arbëri

Braktisen shkollat nga fëmijë romë, ashkalinj e egjiptianë

*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani”!

Vazhdon braktisja e shkollave nga nxënës që u përkasin komuniteteve rom, ashkali e egjiptian. Prindër të tyre thonë se kushtet ekonomike janë ato që po imponojnë këtë rrethanë. E, në shkolla theksojnë se në disa raste nuk arrijnë t’i ulin sërish në banka shkollore nxënësit që lënë shkollat

Dy fëmijë të Mateme Avdiu-Krasniqit nga Fushë-Kosova ka muaj që nuk e vijojnë mësimin. 

Ata ishin në klasën e gjashtë në shkollën “Selman Riza” të kësaj komune. 

Shkollimi deri në klasën e nëntë është i obligueshëm, por nëna e tyre thotë se e braktisën shkollën shkaku i kushteve të rënda ekonomike me të cilat përballet familja.

“Nuk kanë libra, nuk kanë lapsa e kështu. Dy herë kanë ngelë. Kanë qenë në klasën e gjashtë. Nuk kanë pasur edhe me çka të shkojnë në shkollë, sepse po duhet me ua pagu kombin me i çu e me i pru. Shkolla është larg, vetë s’po guxoj t’i lë”, thotë Avdiu-Krasniqit.

Ky nuk është rast i izoluar në shkollën “Selman Riza”.

Esad Simnica është drejtor i shkollës dhe tha se, pa paralajmërim, një numër nxënësish të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian braktisën mësimin dhe u ndodh shpesh të mos mund të vënë kontakt më me ta.

“Ka raste që nuk e dimë se a është këtu apo jo (nxënësi v.j.) dhe mundohemi që nëpërmjet fqinjëve të marrin informacione. Kemi edhe raste kur na kanë informuar se jemi në Gjermani, por ka edhe raste që nuk e dimë a është vërtet këtu apo jo”, thotë Simnica.

Edhe në komunën fqinje, Lipjan, nxënës të këtyre komuniteteve braktisin nivelin e shkollimit të obligueshëm.

Faton Mejzinolli është kryetar i Këshillit të prindërve për këtë komunë dhe thotë se pikërisht prindërit duhet të mbajnë përgjegjësinë kryesore për këtë shkallë braktisjeje.

“Janë nga 12 apo 13 raste deri në 15 raste për çdo vit, (që braktisin shkollimin v.j.) gjatë procesit mësimor. Shpeshherë institucionet kanë pasur rezultat me i bindë prindërit që të kthehen nxënësit në procesin mësimor, por në shumicën e rasteve nuk kanë arritur t’i bindin dhe ata fëmijë kanë mbetur komplet jashtë procesit mësimor”, thotë Mejzinolli.

Autoritetet lokale thanë se kanë bërë përpjekje t’i stimulojnë nxënësit e komuniteteve me qëllim që ta vijojnë mësimin.

“Vitet e fundit Komuna e Lipjanit ka participuar në katër qendra të mësimit plotësues, ku fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian pas mësimit të rregullt shkojnë dhe i bëjnë detyrat”, thotë Lulzim Qerimi, nënkryetar për komunitete i Komunës së Lipjanit.

Por, një nga nxënësit e familjes Krasniqi nga Fushë-Kosova që braktisi mësimin thotë se shkolla nuk u ofroi mësim plotësues, por ua dha një ofertë tjetër. 

“E kam lënë shkollën se s’kam ditur me lexu e as me mësu. Tani ma kanë ndalë (mësimin v.j.) ata dhe më kanë thënë me vazhdua me provime”, thotë ai.

Në rajonin e Prishtinës, ku bëjnë pjesë Fushë-Kosova dhe Lipjani, brenda tre vjetësh janë identifikuar rreth 90 raste të braktisjes së shkollës deri në klasën e nëntë nga nxënës të komuniteteve rom, ashkali e egjiptian.