Arbëri

BQK-ja insiston se Rregullorja për ndalim të dinarit dha efekte pozitive

Rregullorja e BQK-së që përcakton euron si valutë të vetme për pagesa me para të gatshme ka treguar efekte pozitive qëkur ka hyrë në fuqi, 10 muaj më parë, ka vlerësuar guvernatori i Bankës Qendrore, Ahmet Ismaili. Sipas guvernatorit, rregullorja ka ndikuar edhe në ndërprerjen e financimeve të paligjshme

Guvernatori i Bankës Qendrore, Ahmet Ismaili, ka thënë të enjten se rregullorja që ndalon përdorimin e dinarit në Kosovë për pagesa me para të gatshme ka treguar efekte pozitive që nga muaji shkurt, kur hyri në fuqi.

Në një konferencë përmbyllëse të vitit, ai është shprehur se përmes kësaj rregulloreje është mundësuar edhe ndërprerja e financimeve të paligjshme.

“Rregullorja është në fuqi, i ka krijuar efektet e veta pozitive për krejt sektorin. Besoj që i kemi përafruar vlerësimet e ardhshme të pritshme sa i përket Kosovës, të mos harrojmë se me anëtarësim në Këshill të Evropës do t'i nënshtrohemi vlerësimit të moneywal-it, i cili është një vlerësim që i vendos shtetet në lista të zezë ose jo. Dhe unifikimi i sektorit dhe ndërprerja e financimeve të paligjshme ka kontribuar dukshëm, substancialisht në këtë drejtim", ka thënë ai.

Gjatë prezantimit të të dhënave për inflacionin, guvernatori ka theksuar se shkalla mesatare në Kosovë ka arritur në 1.7 për qind.

E kreditë sivjet janë rritur për 15.7 për qind, duke kapur vlerën e 5.7 miliardë eurove.

“Kreditë janë rritur më shpejt sesa depozitat, më shumë se depozitat me përqindje rritjeje që i bie që bankat kanë vazhduar të jenë më ‘dorë shlirë’ në kuptimin e kreditimit. Gjithsej depozitat në nëntor të këtij viti kanë arritur në 6.586 miliardë euro, duke shënuar rritje prej 448.5 milionë eurosh ose 7.3 për qind krahasuar me dhjetorin e vitit 2023. Kjo rritje i atribuohet rritjes së normave të interesit në depozita dhe konkurrenca më intensive midis bankave për tërheqje të depozituesve", ka thënë Ismaili.

Sipas guvernatorit, sivjet është shënuar edhe zvogëlim i normës së interesit në kredi.

Ismaili ka thënë se norma mesatare e interesit për kredi në nëntor të këtij viti ishte 6.02 për qind, teksa në dhjetor të vitit të shkuar mesatarja ishte 6.35 për qind.