Arbëri

Bokshi: Ka kthim të atmosferës që u parapriu luftërave në ish-Jugosllavi

Tensionet etnike midis shqiptarëve dhe serbëve po pengojnë në procesin e pajtimit midis Kosovës dhe Serbisë, është thënë të mërkurën në prezantimin e raportit “Luftimi i ekstremizmit në Kosovë: prirjet, sfidat dhe kundërmasat”. Për këtë si indikator janë përmendur edhe dezinformatat e shpërndara nga Rusia. Në konferencën rajonale të organizuar nga “Sbunker” është folur edhe për zhvillime të tjera në rajon dhe në Kosovë e të cilat është thënë se janë duke e vënë në rrezik demokracinë

Nacionalizmi ekstrem në Kosovë vazhdon të ushqehet nga tensionet e thella etnike, veçanërisht midis shqiptarëve dhe serbëve, është theksuar në raportin “Luftimi i ekstremizmit në Kosovë: prirjet, sfidat dhe kundërmasat”, i cili është prezantuar të mërkurën nga organizata joqeveritare “Sbunker”, në kuadër të një konference rajonale të mbajtur në Prishtinë.

Në prezantimin e raportit është bërë e ditur se Kosova vazhdon që të përballet me forma të ndryshme të ekstremizmit, të cilat shpesh mbivendosen dhe ndajnë elemente me ekstremizmin e ekstremit të djathtë.

“Në Kosovë se si e kuptojmë etnonacionalizmin, shprehet në dy grupe, shqiptarët dhe serbët e Kosovës. Kjo është e kuptueshme normalisht për shkak të çështjeve të pazgjidhura të trashëgimisë, konfliktit të dhunshëm në ’98-’99 e që ka vazhduar të dominojë në diskursin publik në Kosovë e Serbi, duke penguar mundësinë e pajtimit dhe ecjes përpara”, ka theksuar Adelina Hasani, autore dhe hulumtuese e raportit.

E menaxheri i projektit në “Sbunker”, Alban Bokshi, ka thënë se gjuha nacionaliste në rajon po rrezikon të kthejë frymën e ish-Jugosllavisë.

“Disa raporte ndërkombëtare të viteve të fundit kanë ngritur shqetësime se demokracia, të drejtat e njeriut, pluraliteti dhe diversiteti i mendimeve, liritë bazike janë të kërcënuara në rajon dhe madje ka kthim të gjuhës dhe të atmosferës së viteve ‘90-ta që u paraprinë luftërave në ish-Jugosllavi. Ka ngritje të retorikës nacionaliste, populiste dhe ngecje të proceseve si drejtësia tranzicionale”, ka theksuar Bokshi.

Bardh Bakija, drejtor ekzekutiv në “Sbunker”, ka thënë se rrjetet sociale janë duke u përdorur si mjete për shpërndarjen e gjuhës nacionaliste.

“Narrativat, sidomos në rrjete sociale, janë duke u përhapur me një shpejtësi të pabesueshme. Këto nuk janë vetëm ide abstrakte, ato ndikojnë në diskursin publik, formësojnë debatet tona publike dhe krijojnë mjedise në të cilat gjuha e urrejtjes dhe përjashtimi bëhen të normalizuara”, ka theksuar ai.

Tek ka folur në kuadër të konferencës rajonale, zëvendësambasadori i Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Ronald Goldberg, e ka theksuar rëndësinë e paqes dhe të raporteve të mira ndëretnike.

“Ta kemi parasysh që ndërtimi i qëndrueshmërisë, nxitja e pajtimit është rrugëtim e jo destinacion. Kërkon durim, insistim dhe besim të palëkundur që ndryshimi është i mundur. Së bashku mund të krijojmë shoqëri, ku diversiteti festohet, dialogu zëvendëson përçarjen dhe ku paqja dhe siguria nuk janë vetëm aspirata, por janë realitete”, ka thënë ai.

Raporti i publikuar nga “Sbunker” vë në dukje rëndësinë e ndërhyrjeve strategjike për të luftuar ekstremizmin, duke përfshirë politikën e sigurisë, edukimin dhe fushatat kundër dezinformimit.