Arbëri

Bojkotohet procesi mësimor nga një klasë në shkollën “Hasan Prishtina”

Ndryshimi i orarit mësimor u bë shkas që mbi 30 nxënës në shkollën “Hasan Prishtina” të mos e mbajnë procesin mësimor të mërkurën. Prindërit e klasës së katërt të kësaj shkolle në Prishtinë thonë se nuk do t’i dërgojnë fëmijët në shkollë derisa të tërhiqet vendimi i drejtorisë për ndryshim të orarit

Mbi 30 nxënës të klasës së katërt në shkollën “Hasan Prishtina” në kryeqytet nuk e kanë mbajtur procesin mësimor të mërkurën.

Prindërit e tyre kanë vendosur për bojkot, për shkak të pakënaqësive që kanë ndaj vendimit të menaxhmentit të shkollës për ndryshimin e orarit. 

Indrit Basha është një nga prindërit e pakënaqur, i cili tha se vendimi për bojkot është marrë pasi klasa ku vijon mësimet djali i tij është neglizhuar ndër vite nga menaxhmenti i shkollës. 

“Qysh në klasën e parë fëmijët tanë nuk kanë pasur libra për ta zhvilluar një proces mësimor. Të gjitha librat është dashur t’i sigurojmë nga mjetet vetjake... Për shkak të shkeljeve ligjore të të drejtave të fëmijëve, nga drejtoresha dhe menaxhmenti i shkollës, unë personalisht kam menduar edhe ta largoj tërësisht nga shkolla djalin tim dhe ta dërgoj në një shkollë tjetër, por frika ime është mos po ndikoj përsëri edhe më keq në shëndetin psikologjik të fëmijës tim pasi që vetëm është i dëmtuar psikikisht nga kjo”, ka thënë Basha.

Prindër të tjerë janë ankuar edhe për ndërrime të shpeshta të mësimdhënësve. 

“Janë tetë mësimdhënëse të rregullta që janë ndërruar deri tash e pesë zëvendësuese, kështu që kjo po na shqetëson ne, plus tash edhe orari”, ka thënë Fitore Mjekiqi.

Kjo klasë deri tash ka vijuar mësimin prej orës 7:45, e sipas vendimit të drejtorisë, nga e mërkura mësimi nis në orën 13:00.

Drejtoresha e shkollës, Sofie Bunjaku, nuk pranoi të fliste për pakënaqësitë e prindërve.

E, prindërit ngulin këmbë se nuk do t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë derisa menaxhmenti ta tërheqë vendimin për ndryshim të orarit.

Basha ia ka ofruar KOHËS në dispozicion edhe komunikimet që i ka pasur me Drejtorinë e Arsimit (DKA).

Në përgjigjen që DKA u ka kthyer prindërve është thënë se ky institucion nuk është kompetent të ndërhyjë në vendimet e shkollave. 

“Sipas organeve udhëheqëse të shkollës, vendimi është marrë duke u bazuar në rekomandimet e ekipit profesional të shkollës, andaj ne si Drejtori e Arsimit nuk jemi kompetentë të ndërhyjmë në çështje të brendshme të shkollës”, është thënë në përgjigje. 

Por sipas Ligjit për Arsimin Parauniversitar, i takon Komunës të ndërhyjë në rastet kur arsimimi i nxënësve mund të dëmtohet nga veprimet e jashtme.

“Komuna sipas kompetencave mund të udhëzojë drejtorin e shkollës apo Këshillin drejtues të shkollës në rastet kur, sipas mendimit të komunës, edukimi, arsimi apo siguria në shkollë është ose mund të dëmtohet në një të ardhme të afërt nga veprimet e nxënësve apo prindërve”, shkruan në nenin 21. 

Prindërit kanë theksuar se në dokumentin e ekipit profesional të shkollës është kërkuar që një klasë ku vijon mësimin një fëmijë me autizëm t’i ndryshohet orari. 

“Në shkolle janë edhe 3 klasa të tjera që mund të bëhet ndërrim, por për shkak të interesave të tyre drejtoresha i përkrah. Në klasën tonë asnjëherë drejtoresha nuk ka dhënë përkrahje për nxënësin me aftësi të kufizuara, ku është problem të zhvillohet mësimi i rregullt pa mësuesen përkrahëse”, ka thënë Basha. “Kjo është shkelje tjetër e ligjit”.