Qytetarët i janë bashkuar nismës së kundërshtimit të çmimeve të larta të produkteve bazë, duke shmangur frekuentimin e marketeve të mëdha. Disa nga ta kanë thënë se çmimet e larta janë bërë të papërballueshme. E në shoqatën “Konsumatori”, thanë se qytetarët nuk po mbrohet nga abuzimet me çmime
Qytetarë të Kosovës i janë bashkuar nismës së disa vendeve të rajonit për t’i bojkotuar marketet e mëdha, në shenjë proteste për rritjen e çmimeve.
Të shtunën ata i janë bashkuar nismës së kundërshtimit të çmimeve të larta të produkteve bazë, duke e shmangur frekuentimin e marketeve.
Sipas statistikave të ASK-së, të publikuara para disa ditësh për muajin shkurt, çmimet e produkteve të konsumit u rritën mesatarisht 1.7 për qind më shumë, krahasuar me shkurtin e vitit të kaluar.
Për Idriz Ahmetajn, ky bojkot i marketeve është mjeti i vetëm i qytetarëve për të reaguar ndaj çmimeve të larta.
“Shumë e arsyeshme është. Mirë kanë bërë që e kanë organizuar. E nevojshme është. Duhet që të bojkotohet gjithsesi, duhet sepse janë bërë kushtet e vështira të jetesës”, ka thënë ai.
Në ditën e konsumatorit, bojkotit iu bashkëngjit edhe një qytetar tjetër, Adem Krasniqi.
Ai thotë se çmimet e produkteve bazë janë në disproporcion të madh me të ardhurat e qytetarëve. Sipas tij, kjo ka nxitur edhe nevojën që të nisë bojkoti.
“Në markete çmimet nuk janë të njëjta. Kjo po më brengos. Si në markete, si në barnatore, si në të gjitha, si është puna e tyre? A ka inspektime, a ka njerëz, a ka shtet, a ka ligj? Shko në perëndim, krejt çmimet janë të njëjta. Për këtë besoj që duhet m’i marrë do masa shkaku i popullit. Krejt në kurriz tonë shkon ky favorizim, duhet që të na përkrah shteti edhe ne do ta përkrahim shtetin”, ka thënë Krasniqi.
E mungesën e dorës së shtetit në kuptim të moslejimit të abuzimit me çmime, e ka theksuar kryetari i shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku. Sipas tij, konsumatori nuk është mbrojtur karshi abuzimeve të llojllojshme.
“Respektimi i të drejtave të konsumatorit në Republikën e Kosovës është në proporcion të drejtë me nivelin e zbatimit të ligjeve dhe ky nivel është i pamjaftueshëm andaj edhe zbatimi i ligjit për mbrojtjen e konsumatorit dhe i programit të mbrojtjes së konsumatorit janë nën nivel të pamjaftueshëm. Ne kemi shumë lloje të abuzimeve të çmimeve dhe kjo shumëllojshmëri i tejkalon të gjitha nivelet e ekspertizave, të gjitha niveleve të inspeksioneve apo agjencive për mbikëqyrjen e tregut”, ka thënë Kaçaniku.
Të zemëruar nga rritja e vazhdueshme e çmimeve, qytetarë të disa vendeve të Ballkanit Perëndimor u ftuan t’i bojkotojnë më 31 janar blerjet në disa dyqane të mëdha ushqimore.
Nisma u ndërmor fillimisht në Kroaci, më 24 janar, dhe rezultoi me rënie prej më shumë se 50 për qind të shitjeve në të gjithë vendin.
Pas thirrjes së përfaqësuesve të konsumatorëve, kroatët nisën më 30 janar edhe një aksion të ngjashëm, por që zgjati një javë.
Thirrje për bojkotime të ngjashme – kryesisht nëpër mediat sociale – u bënë edhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Përgjigje pozitive ato morën në Serbi, Maqedoni të Veriut, në Mal të Zi, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Slloveni.