Arbëri

Bllokohen pjesërisht rrugët në dy pika kufitare mes Serbisë dhe Kosovës

Bllokada

Bllokada nga ana e Serbisë

Foto: Radio Evropa e Lirë

Përditësim 20:12-Rrugët në Serbi që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare me Kosovën në Merdar dhe Jarinjë, janë bllokuar pjesërisht pasditen e së premtes nga një grup i vogël njerëzisht, në shenjë proteste ndaj vendimeve të autoriteteve kosovare në veriun e Kosovës.

Siç kanë bërë të ditur qytetarë serbë që janë futur në Kosovë nga Jarinja, në bllokada nuk ka shumë njerëz. Ata kanë thënë se po u kërkohen dokumente.


Përditësim 19:22 - Për dallim nga pikëkalimi kufitar në Jarinjë, rruga në afërsi të pikëkalimit në Merdar është bllokuar në pjesën serbe, ka raportuar Radio Evropa e Lirë. Sipas raportimit, rruga është bllokuar nga dy vetura dhe disa persona.


Situatë e qetë është duke mbizotëruar në pikëkalimin kufitar me Serbinë, në Jarinjë, në kohën kur ishte paralajmëruar për protesta nga serbët dhe tentim të bllokimit të rrugëve kufitare, kah ana e Serbisë.

Aktualisht nuk janë duke u parë turma njerëzish.

Qarkullimi i veturave në të dyja anët e kufirit është duke vazhduar normalisht.

Bllokada ishte paralajmëruar nga “Këshilli për Bllokada i Serbisë” pasi Policia e Kosovës mbylli 5 zyra të strukturave paralele në veri me dyshimet për falsifikim me dokumente.

Në aksionin e 30 gushtit u mbyllën zyrat e katër komunave paralele: Mitrovicë, Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan, si dhe Zyra e Qarkut të Mitrovicës.

Të mërkurën e të enjten Policia ka intervistuar udhëheqësit e këtyre zyrave me dyshimet për falsifikim me dokumente.

Bashkësia ndërkombëtare ka kritikuar Qeverinë për këtë dhe për aksionet  e tjera në veri, duke e ftuar të përmbahet “nga veprimet që mund të nxisin tensione”.

Pas paralajmërimit për bllokadë, institucionet e Kosovës u kanë bërë thirrje qytetarëve që ta evitojnë kalimin nga Serbia. Ministria e Punëve të Jashtme ka kërkuar nga qytetarët të shmangin kalimin transit nëpër pikëkalimet kufitare me Serbinë. E Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit ka bërë thirrje të enjten që kufiri të mos kalohet as në pikëkalimin e vetëm me Malin e Zi, Kullë.