Arbëri

Bllokada në Kuvend, të zgjedhurit e popullit s’marrin përgjegjësi

Pas dështimit edhe të vazhdimit të gjashtë të seancës konstituive të Kuvendit, përfaqësues të partive parlamentare shkëmbyen akuza ndaj njëri-tjetrit për bllokadë. Teksa në Vetëvendosje thanë se nuk do të heqin dorë nga propozimi i Albulena Haxhiut për kryeparlamentare edhe në seancën e së dielën, në opozitën e legjislaturës së kaluar këtë e kualifikuan si imponim. E LVV-ja e quajti kushtëzim insistimin e taborit tjetër politik për ndërrimin e emrit të kandidatit

Përfaqësues të partive parlamentare kanë akuzuar njëri-tjetrin për bllokadën në Kuvend teksa asnjëri nuk ka marrë përgjegjësinë për dështimin e gjashtë të seancës konstituive.

Në Vetëvendosje thanë se nuk do të heqin dorë nga propozimi i Albulena Haxhiut për kryeparlamentare as në seancën e së dielën, ndonëse për këtë nuk i kanë votat e as mbështetjen e partive tjera. E në opozitën e katër vjetëve të shkuar, këtë e kualifikuan si imponim.

Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, e përshkroi shkurt përgjegjësinë që konsideron se partia e tij ka për daljen nga situata.

“Neve na takon që të bëjmë thirrje për reflektim tek subjektet të cilat janë parlamentare, pra partitë parlamentare, në mënyrë që të votojnë”, tha Murati.

Por në taborin tjetër politik kërkojnë që Vetëvendosje të dalë me tjetër kandidat tjetër.

Krahas kësaj, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, theksoi se LVV-ja po e përdor bllokadën për t’i siguruar votat që i mungojnë për ta bërë Qeverinë.

“Problemi themelor pra është që këta nuk kanë shumicë parlamentare, nuk kanë numra, siç thuhet, për ta bërë qeverinë, dhe fakti që Albin Kurti nuk mund të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës, është duke e mbajtur peng edhe Kuvendin edhe institucionet, edhe shtetin tonë, edhe popullin tonë”, tha Krasniqi.

“I kemi cekë dy emra për me hapë rrugë, me siguri ka edhe të tjerë të pranueshëm”, theksoi Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

Por kërkesën për ta ndërruar kandidatin për kryeparlamentar, në Vetëvendosje e kualifikuan kushtëzim.

“Nëse ne na kushtëzojnë kryeparlamentarin, atëherë ne i kushtëzojmë nënkryetarët, i njëjti proces i votimit është me 61 vota. Prandaj ne nuk po duam të jemi në këtë logjikë bllokuese dhe nuk jemi në këtë logjikë bllokuese”, u shpreh deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Në Vetëvendosje nuk shprehën gatishmëri për t’i thirrur përfaqësuesit e partive parlamentare në takim për gjetjen e zgjidhjes. E në opozitën e legjislaturës së shkuar nuk u shprehën unikë nëse, në rast ftese, do të përgjigjeshin pozitivisht.

“Jo, sa di, nuk ka komunikim fare. Ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në takime”, tha Haradinaj.

“Nuk ka arsye me na ftu Albin Kurti. Nuk ka mandat me na ftu, ai është vetëm një deputet. Nuk ka nevojë me na ftu me u marrë vesh. Duhet të propozojë dikë tjetër. Nuk po dëshiroj unë t’ia imponojë atij kandidatin. Le të provojë i ka 48 deputetë, veten le te propozon, ka të drejtë është deputet ai, s’është kryeministër më. Le te provon, nashta e votojmë, nuk e besoj”, shtoi Krasniqi i PDK-së.

E në LDK e përsëritën qëndrimin kundër për çdo kandidat të LVV-së.

“Nuk mund të ketë kandidat konsensual derisa arroganca dhe mënyra si bëhen politikat, si tenton kapjen e institucioneve, edhe konsensusi për ndonjë emër të përveçëm është i pamundur në këtë situatë”, tha deputeti Armend Zemaj.

Deputetët do të tentojnë konstituimin e legjislaturës së nëntë edhe të dielën.

Pa konstituimin e legjislaturës së re, nuk mund të shpallen as zgjedhjet e parakohshme