Arbëri

Blinkeni vlerëson rolin e Osmanit për hapjen e qendrës rajonale “Gratë, Paqja dhe Siguria”

Pamje nga fjalimi i Blinkenit

Pamje nga fjalimi i Blinkenit

(E përditësuar 18:35) - Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka vlerësuar rolin e presidentes Vjosa Osmani për hapjen e qendrës rajonale “Gratë, Paqja dhe Siguria” në Kosovë, gjatë fjalimit në aktivitetin për gratë, paqen dhe sigurinë të martën në SHBA si pjesë e samitit për 75-vjetorin e themelimit të NATO-s.

Blinkeni e falënderoi presidenten Vjosa Osmani duke thënë se ka qenë vendimtare për të filluar me këtë nismë për gratë, sigurinë dhe paqen.

“Këtë vit SHBA-ja hapi qendrat rajonale ‘Gratë, Paqja dhe Siguria’ në Kolumbi dhe Kosovë. Ne jemi mirënjohës që kemi presidenten Osmani këtu me ne sot. Presidentja Osmani ishte e rëndësishme në nisjen e kësaj iniciative. Ajo tashmë po demonstron mënyrën se si këto qendra mund të shërbejnë si qendra për ide dhe për inovacion. Në muajt në vijim do të hapim qendrën e tretë në Filipine”, ka thënë Blinken.

Zyra e Presidentes është përzgjedhur në mesin e partnerëve globalë nga Zyra e Sekretarit Blinken për ta themeluar Qendrën Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Marrëveshja për themelimin e kësaj Qendre është nënshkruar nga Osmani dhe Zyra e Blinkenit në prill të vitit 2024, gjatë Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. /KP


Osmani takon Blinkenin: Aleanca me SHBA-në gurthemel për stabilitetin dhe prosperitetin global

(17:38) - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken. 
Për këtë takim Osmani ka shkruar në Facebook. 

Ajo ka thënë se Aleanca me SHBA-në është gurthemel për stabilitetin dhe prosperitetin global. 

“Faleminderit Sekretarit Blinken për pritjen dhe diskutimin e sotëm në Departamentin e Shtetit në Washington D.C., në kuadër të Samitit të NATO-s. Aleanca me SHBA-të nuk është vetëm një dëshmi e vlerave dhe parimeve tona të përbashkëta demokratike, por edhe një gurthemel për stabilitetin dhe prosperitetin global”, ka shkruar Osmani.