Arbëri

Blerja e “Rafalëve” francezë nga Serbia përcillet me kritika

Kontraktimi nga ana e Serbisë i 12 aeroplanëve luftarakë “Rafale” të Francës ka nxitur reagime në rajon dhe më gjerë. Derisa kryeministri i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka thënë se Serbia po armatoset për një javë luftë fiktive, deputetja britanike, Alicia Kearns, ka krahasuar mbështetjen që vendi i saj i ka ofruar Kosovës pas sulmit terrorist në Banjskë dhe shitjen nga Franca të avionëve luftarakë për Serbinë

Reagime të ndryshme ka nxitur të premten armatosja e Serbisë më 12 aeroplanë luftarakë francezë “Rafale”, pas marrëveshjes së nënshkruar të enjten midis presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Beograd. 

Bazuar në marrëveshje, e cila është finalizuar me vizitën e Macronit në Beograd më 29 dhe 30 gusht, Serbia do t’i marrë nëntë aeroplanë me nga një dhe tre të tjerë me nga dy ulëse deri në vitin 2029. 

E për këtë marrëveshje ka ironizuar të premten presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, teksa ka folur për kapacitetet ushtarake të shtetit të tij.

“Serbia do të blejë ‘Rafale’, ne nuk i kemi ato. Serbët po armatosen për një javë luftë fiktive që nuk do të shpërthejë kurrë. Franca dhe Amerika shikojnë vetëm interesat e tyre: Kështu funksionon bota”, ka thënë Milanoviq. 

Reagim ka pasur edhe nga deputetja britanike Alicia Kearns, e cila ka tërhequr paralele midis vizitës së fillimvitit të sekretarit të Jashtëm dhe ish-kryeministrit britanik, David Cameron, në Prishtinë dhe asaj të Macronit në Beograd. 

“Lordi Cameron në Kosovë në fillim të këtij viti, duke u zotuar për mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar pas sulmit në Banjskë shtatorin e kaluar. Presidenti Macron në Beograd këtë javë, duke i shitur avionë luftarakë presidentit Vuçiq”, ka shkruar Kearns në Platformën “X”.  

E gazeta e njohur franceze, “Le Monde”, i ka kushtuar një artikull të gjatë ujdise serbo-franceze, duke e përmendur faktin se Macroni nuk e ka thënë asnjë fjalë mbi rolin e presidentit serb Vuçiq në nxitjen e trazirave në Kosovë. 

“Më në fund, motori më i fuqishëm i integrimit të Serbisë në familjen evropiane nuk gjendet nën kabinën e “Rafaleve”, sado efikase të jenë. Pengesat kryesore për këtë afrim janë nacionalizmi dhe menaxhimi autokratik i vendit nga presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili pështjellon shtypin, keqtrajton kundërshtarët dhe nxit trazira në Kosovë, pavarësinë e së cilës ai e refuzon. Fatkeqësisht, presidenti Macron nuk tha asnjë fjalë për të gjitha këto të enjten në Beograd”, ka shkruar “Le Monde”. “Ajo peshon shumë në eksportet franceze të armëve, të cilat e kanë ngritur Francën në vendin e dytë në botë për nga vlera e eksporteve të saj, sipas raportit të fundit nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes në Stokholm, të publikuar në mars. Shumë prapa Shteteve të Bashkuara, por tani përpara Rusisë”. 

Në prill, Franca e pati kushtëzuar transaksionin me Serbinë për këta aeroplanë me rishikimin e raporteve të Serbisë me Kinën dhe vënien e sanksioneve ndaj Rusisë. Po ashtu ishte thënë se kërkesa e Francës ka qenë edhe zbutja e tensioneve e normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën. 

Aeroplanët luftarakë francezë është thënë se do t’i zëvendësojnë “MIG”-ët rusë. 

Investimet e Serbisë në blerjen e armëve kanë qenë në rritje të vazhdueshme gjatë vjetëve të fundit. Nga viti 2012 deri më 2023, buxheti ushtarak i Serbisë është trefishuar duke arritur në vlerën e 1.4 miliardë eurosh. Në periudhën nga viti 2014 deri më 2023, Serbia ka shpenzuar 2.67 miliardë euro për blerjen e armëve – kryesisht për blerjen e sistemit kundërajror kinez FK-3 dhe helikopterëve rusë Mi-17 e Mi-35