Ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani, i ishte ndërruar sërish masa në Maqedoninë e Veriut nga arresti shtëpiak për kthim në paraburgim.
Kjo është njoftuar nga Ministria e Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës, raporton “KosovaPress”.
Në mediumet në shtetin fqinj të enjten është njoftuar se Ramadani është arratisur nga arresti shtëpiak në Maqedoni të Veriut.
Ramadani kishte qenë në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme.
“Ju njoftojmë se Ambasada e Republikës së Kosovës në Maqedoni të Veriut është njoftuar nga avokati i Ramadanit se është ndërruar masa e sigurisë nga arresti shtëpiak në kthim në paraburgim, në kohën kur i njëjti ishte në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme”, ka thënë Leutrim Sahiti, këshilltar politik në MPJD.
Sahiti ka thënë se informacione tjera zyrtare nuk kanë pranuar nga autoritetet relevante të Maqedonisë së Veriut.
Gjykata Themelore Penale në Shkup me datë 8 gusht 2024 mori vendim për mosekstradimin e Blerim Ramadani në Serbi.
