Byroja Kosovare e Sigurimit ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Financave, Hekuran Murati, lidhur me pagesën e policave kufitare, për çka ai tha se bashkatdhetarët po detyrohen të paguajnë pavarësisht se ato janë të subvencionuara nga Qeveria për një muaj.
Në reagimin e BKS-së thuhet se marrëveshja e nënshkruar nga MFPT-ja, MPB-ja, BQK-ja dhe BKS-ja parasheh subvencionimin e policave njëmujore. Sipas kësaj byroje, policat me afat tjetër, si ato 15 ditë, 2 muaj, 6 muaj dhe njëvjeçare janë me pagesë.
Tutje thuhet se deri më tani BKS-ja nuk është në dijeni të ndonjë procedimi penal ndaj punëtorëve të saj lidhur me “rastet e aluduara”.
Murati përmes një postimi në Facebook, tha se ka pasur procedim penal për punonjësit e BKS-së lidhur me disa raste të raportuara.
Më tej në reagimin e BKS-së është bërë thirrje për ata që kanë paguar për policë njëmujore, që ta kontaktojnë byronë për rimbursim, si dhe për ta raportuar rastin.
“Nëse ka raste të keqpërdorimeve nga punonjësit e BKS-së, këto do të trajtohen me prioritet të lartë dhe përgjegjësit do të përballen me pasojat ligjore”, është thënë tutje në komunikatë.