Puna e prodhimit të mobilieve është e varur pothuajse krejtësisht nga pajisjet që për funksionimin e tyre duhet energji elektrike.
Mirëpo kjo punë po vështirësohet në kompaninë që e udhëheq Rrahim Spahiu, meqë kohët e fundit është duke u ballafaquar me mungesë të energjisë elektrike.
Sipas tij, ndërprerjet janë të shpeshta e pa paralajmërim.
“Këtë vit kemi pasur jashtëzakonisht shumë problem me ndërprerje të energjisë elektrike, këtë javë e kemi mbajtë evidencën nga data 10 dhe çdo të dytën ditë ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike”, thotë Spahiu.
Me të njëjtin problem janë duke u përballur edhe në fabrikën e prodhimit të bylmeteve në Lipjan. Madje këta të fundit kanë pasur prishje të pajisjeve.
“Një ndërprerje e vogël që ndodhë, edhe punë sekondash neve na kthen prapa në prodhim. Makineria është e atillë që nëse ndalet rrymë, i duhet kohë për tu restartuar. Ka probleme edhe në lëndën e parë që na dëmton. Kemi probleme me pajisje ka raste që na i djegë”, tha administratori Gojart Sylejmani.
Arsyetimi më i shpeshtë që u është dhënë bizneseve për këto ndërprerje janë prishjet ose mbingarkesa në këtë zonë.
“Kohët e fundit kemi ndërprerje pa paralajmërim edhe disa herë në ditë. Do të thotë nuk është energjia stabile, ndërprerje të shpeshta kjo ka bërë që të ketë pasoja”, thotë administratori Liridon Balaj.
Mirëpo, nga KEDS thonë që në atë zonë janë duke u bërë investime dhe mirëmbajtje e për ndërprerjet i kanë paralajmëruar bizneset.
“Duhet ta sqaroj që ndërprerjet e fundit kanë qenë të planifikuara dhe në secilin rast bizneset janë lajmëruar me kohë. Për ato të paplanifikuarat paralajmërimi është i pamundshëm pasi janë të papritura”, deklaron zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.
Në zonën e njohur si QMI, shumë biznese operojnë dhe telashet me energji elektrike, sipas tyre, janë shpeshtuar vitin e fundit.