Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryenegociatori Besnik Bislimi, ka thënë se në takimin trepalësh të mbajtur të enjten në Bruksel nuk ka rezultate në pikën rreth ecjes përpara në normalizim të raporteve me Serbinë. Ai e ka quajtur rund të dështuar takimin me Petar Petkoviqin e Serbisë, nën ndërmjetësimin e emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Bislimi ka akuzuar Serbinë se po insiston në implementim të pjesshëm të marrëveshjeve. E ka cilësuar këtë qëndrim si joserioz.
“Fatkeqësisht për temën kryesore për të cilën jemi grumbulluar nuk ka rezultate. Në pikën rreth ecjes përpara me normalizimin e raporteve kështu që mbeti në fund që z. Lajçak pastaj të kthehet edhe njëherë te drafti i tij i 9të i datës 8 dhjetor dhe ta plotësoj me komentet e palëve dhe të provojë edhe njëherë. Serbia me gjasë ende më tej insiston në implementim të pjesshëm, sipas idesë ne bëjmë diçka ju bëni diçka por kjo është jashtëzakonisht shumë jo serioze mendoj edhe për Brukselin”, ka thënë ai pas takimit.
Megjithatë sipas tij ka pasur lëvizje pozitive në temat tjera.
“Jemi dakorduar që të bëjmë një grup punues i cili do t`i harmonizojë diku 20 certifikata veterinere të cilat përdoren në vendkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë dhe po ashtu që të kërkohet që trupat e inspektoratit fitro - sanitar të vendosen në mënyrë të përhershme edhe në pikën kufitare në Dheun e Bardhë. Po ashtu u njoftuam nga zotëri Lajçak se ka premtime të mëdha në Beograd që deri në fund të muajit të ardhshëm do të lëshohen linjat e interkoneksionit që ka qenë pjesë e marrëveshjes së energjisë të vitit 2022 dhe ne presim me padurim që kjo të ndodhë për arsye se u shkakton shpenzime të mëdha dhe të panevojshme importuesve të energjisë”, ka thënë tutje ai.
Bislimi ka thënë se është diskutuar edhe për lirinë e lëvizjes. Sipas tij, Lajçaku e ka nënvizuar rëndësinë e një qendre për inspektim teknik që ka bërë Qeveria e Kosovës në veri dhe njohjen e hapave të tjerë që janë bërë në veri.
“Kishte kërkesa të arrihej marrëveshja për lejimin e vizitave së kryenegociatorëve por mendojmë se duhet të respektohet marrëveshja si është nënshkruar më herët. Prekëm tema të ndryshme, por fatkeqësisht te tema kryesore që është e rëndësishme, ecja përpara drejt normalizimit nuk ka lëvizje”, ka përsëritur ai.
Zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë po ashtu se Serbia nuk ka hyrë fare në diskutimin për planin e sekuencimit të marrëveshjeve bazë. Ai e ka quajtur dështim të madh rundin e sotëm të negociatave.
“Ne kemi pasur komentet tona në planin e sekuencimit, ku kemi treguar se me çfarë përmirësimesh ai plan do të jetë i pranueshëm për palën kosovare. Ndërsa Serbia nuk ka hyrë fare në diskutim. Serbia vetëm se kishte preferuar ecjen përpara në mënyrë parciale, ku palët zotohen vetëm për një element të marrëveshjes për ta zbatuar. Mendoj se është dështim bukur i madh i këtij raundi, pasi ishte tema kryesore e bisedimeve sot”, ka thënë Bislimi.
Sipas tij, pala serbe ka thënë se kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq i ka dërguar letër Komisionit Evropian duke thënë se shteti i tij është i përkushtuar t’i zbatojë obligimet që dalin nga Marrëveshja Bazë.
Bislimi ka thënë se për të qenë kjo e sinqertë, Serbia duhet të tërheqë letrën e ish-kryeministres Ana Bërnabiq, me të cilën kishte dalë kundër marrëveshjes.
“Nga Serbia dëgjuam se kryeministri Millosh Vuçeviq në një letër dërguar Komisionit sipas tij, është përkushtuar se do të zbatojë obligimet të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshja Bazë. Për të qenë e sinqertë kjo, duhet të shoqërohet me tërheqjen e letrës së Bërnabiqit që është veprim më i lehtë për palën serbe. Nëse Serbia zotohet t’i zbatojë pikat e marrëveshjes, formalizimi është i thjeshtë. Këtë e konfirmoi edhe pala serbe që tha se e vetmja marrëveshje obligative për zbatim është e 2013-s pasi ka nënshkrim dhe është ratifikuar në Kuvend”, ka thënë ai.
Sipas Bislimit, letra ka qenë vetëm që Serbia të marrë fonde nga Plani i Rritjes.
“Kjo e bën edhe më problematike kredibilitetin e Serbisë e cila në një anë thotë se kur duhet të marrë para nga Bashkimi Evropian atëherë do t’i zbatojë e aty ku duhet bërë zotimet për t’i zbatuar thotë jo se unë kam vija të kuqe”, ka thënë Bislimi.
E sa i përket fillimit të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Bislimi ka thënë se Kosova insiston në zbatimin e plotë të marrëveshjes dhe se nuk i ik obligimeve.
“Nuk mund të insistohet kur për këtë punë së pari duhet të zgjidhet udhëheqja e re e komunave e mendoj se duhet të plotësohen disa kushte tjera. Por, e kemi bërë të qartë se në atë moment kur ka dakordim për zbatimin e plotë të Marrëveshjes bazë, Kosova nuk i ik asnjë prej obligimeve të saja. Kosova zotohet se e zbaton marrëveshjen në tërësi, siç e ka treguar gatishmërinë ta nënshkruajë në Ohër”, ka deklaruar Bislimi.
Në fund, Bislimi ka thënë se ka kërkuar nga Serbia që ta dorëzojë Milan Radoiçiqin që ka marrë përgjegjësi për sulmin terrorist në Banjskë.
Për takimin në Bruksel është informuar edhe nëpërmjet një komunikate nga Zyra e Kryeministrit.
“Në takimin bilateral u trajtuan një mori temash, gjersa në takimin trilateral, temë e diskutimit ishte e paraparë sipas agjendës rruga përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit. Në takimin bilateral me emisarin Lajçak si dhe në atë trilateral, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit, e atë në tërësi dhe pa vonesa të mëtejme, përmes një plani të sekuencimit të drejtë dhe të barabartë mes palëve. Ai nënvizoi dhe nevojën për nënshkrimin e marrëveshjeve, si garanci për zbatim të saj, patur parasysh refuzimin e vazhdueshëm të marrëveshjes nga Serbia dhe vijat e saj të kuqe që shkelin frymën dhe nenet e marrëveshjes, nevojën për tërheqjen e letrës së deponuar nga Serbia përmes ish-kryeministres Brnabiq dhe dorëzimin e kryekriminelit dhe terroristit Millan Radoiçiq nga ana e Serbisë, si kryesi i aktit terrorist të Banjskës. Ndërkohë, një nga temat e trajtuara në takimin bilateral me emisarin Lajçak, ka qenë dhe çështja e personave të pagjetur, ku Serbia vijon ta bllokojë zbatimin e deklaratës së përbashkët. Gjithashtu u diskutua edhe për marrëveshjet mbi lirinë e lëvizjes, energjinë dhe vizitat zyrtare. Emisari Lajçak vlerësoi hapjen e qendrës për inspektime teknike në veri, gjersa përmendi që brenda një muaji do të lëshohen linjat e interkoneksionit duke avancuar me zbatimin e marrëveshjes së energjisë”, u tha nga Zyra e Kryeministrit.
