Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka ripërsëritur kërkesën që masat e vendosura ndaj Kosovës nga Bashkimi evropian, duhet të hiqen.
Këto komente sipas Zyrës së Kryeministrit, Bislimi i ka bërë në takimin që të martën e ka zhvilluar me ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu.
“Zëvendëskryeministri nënvizoi dhe nevojën për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, të cilat vijojnë të jenë të padrejta e të mbeten në fuqi edhe pas konstatimit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell në raportin e tij ku rekomandon që masat duhet të hiqen”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Integrimi evropian i Kosovës thuhet se ishte gjithashtu në fokus të bisedës, ku zëvendëskryeministri “theksoi angazhimin e vendit në kuadër të Planit të Rritjes, si dhe rëndësinë e ecjes përpara në hapa me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.
Gjatë takimit thuhet se është diskutuar edhe mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë për thellimin e tyre.
Ditë më parë KOHA ka raportuar se jo të gjitha masat që Bashkimi Evropian ia kishte vendosur Kosovës vitin e kaluar pas tensioneve në veri, janë duke u zbatuar.
Mes tjerash u patën pezulluar ftesat për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe.
Megjithatë, liderë të institucioneve morën pjesë në samite të rëndësishme dhe zhvilluan takime bilaterale edhe për çështje përtej dialogut. Njohës të rrethanave kanë thënë se kjo dëshmon që masat nuk janë edhe aq të efektshme megjithëse i kanë bërë dëm Kosovës.
Kurti dhe liderë të tjerë shtetërore javët e fundit kanë pasur shumë me përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së.
Por masat sanksionuese ndikuan në zbatimin e projekteve që BE-ja dhe Këshilli i Evropës ndanë për Kosovën.
Në prill të këtij viti, “Koha” pati raportuar se afro 7 milionë euro është vlera e projekteve që Kosova nuk mund t’i nënshkruajë me Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian, përderisa mbeten në fuqi masat sanksionuese të Bashkimit Evropian. Në Këshillin e Evropës kanë thënë se mosnënshkrimi i projekteve në vitin 2023 me Kosovën ka ndikuar në performancën e përgjithshme të projekteve që kjo organizatë dhe BE-ja ndajnë bashkërisht për Ballkanin Perëndimor dhe partnerët e Evropës Lindore.
Në qershorin e vitit të kaluar, BE-ja konfirmoi se shtetet anëtare janë dakorduar t’i vendosin masa me efekt të menjëhershëm ndaj Kosovës, por duke mohuar se ato nuk janë sanksione. Ato u vendosën pas tensioneve në veri të Kosovës, për të cilat Kosova u mbajt përgjegjëse. Mes tjerash ato kanë edhe pasoja financiare për Kosovën. Sipas BE-së është planifikuar një pezullim domethënës i financimit nga ana BE-së i disa projekteve për të cilat ka dhënë propozime Kosova edhe në kuadër të Fondit investues për Ballkanin Perëndimor.
Masa tjetër ka prekur edhe punën e përbashkët të grupeve që ekzistojnë mes Kosovës dhe BE-së të cilat janë krijuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).
Edhe pse zyrtarisht Bashkimi Evropian pohon se masat ndaj Kosovës lidhen vetëm me hapat për uljen e tensioneve, “Koha” pati raportuar se heqja e tyre lidhet edhe me përparimin në procesin e dialogut.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, në qershor kishte dorëzuar raportin e tij, përmbajtja e të cilit nuk është publike në Këshillin e Ministrave të BE-së. Vetë Borrelli kishte konfirmuar se e ka rekomanduar heqjen e masave.
Disa diplomatë të BE-së patën pohuar për “Kohën” se “pengesë janë disa vende anëtare, sidomos ato që nuk e kanë njohur Kosovën”, por kanë përmendur edhe hezitimin nga Franca dhe Italia. Kundër thuhet se janë edhe Sllovakia dhe Rumania, që mund të jetë edhe rezultat i lobimit nga Serbia që të mos hiqen masat. Mosbesimi nga ana e disa vendeve anëtare ndaj Kosovës ishte thelluar sidomos pas paralajmërimeve të Qeverisë për hapjen e urës mbi Ibër për qarkullimin e automjeteve. Për BE-në ky veprim si dhe mbyllja e zyrave ilegale serbe në veri janë “të njëanshme dhe të pakoordinuara“.