Zëvendëskryeministri Bisnik Bislimi ka thënë se për sulmin terrorist në “Ibër-Lepenc” kanë dëshmi komunikimet që kanë ndodhur para dhe ndoshta pas shpërthimit, por nuk ka dhënë detaje të tjera.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Bislimi ka thënë se është e palogjikshme që në këtë fazë adresa kryesore të cilit i atribuohet krimi të bëhet pjesë e hetimit të krimit, duke aluduar në Serbinë.
“Është e vështirë që të gjenden dëshmi në vendin e krimit. Ne kemi dëshmi komunikimet që kanë ndodhur para dhe ndoshta pas sulmit, që pastaj kërkojnë natyrë tjetër të forenzikës”, ka deklaruar Bislimi.
Zëvendëskryeministri përjashtoi çdo mundësi që Serbia të bëhet pjesë e hetimit, teksa shtoi se duhet analizuar se cili ka qenë qëllimi primar i sulmit terrorist.
“Duhet të kujdesemi që sulmi terrorist që ka ndodhur në Ibër-Lepenc të mos bëhet test i aftësisë së Kosovës për ta dëshmuar kryerësin e krimit dhe aftësisë së Serbisë për ta kryer krimin perfekt. Të gjitha informacionet që i kemi çojnë në një adresë dhe do të ishte e palogjikshme që tash të merremi a ka dëshmi të mjaftueshme apo jo. Duhet të analizohet cili ka qenë qëllimi primar i këtij sulmi, a ka qenë dëmtimi i kanalit apo synimi që të shkatërrohet në tërësi që më pas të pamundësohet furnizimi me ujë, energji elektrike dhe komunikime, apo ka qenë qëllimi të dërgohet sinjal që Serbia ende ka fuqi ta destabilizojë Kosovën dhe ta rrisë pozitën e tyre negociouese në Bruksel”, ka theksuar Bislimi.
Më 29 nëntor, një sulm me 15 kilogramë eksplozivë shkaktoi shpërthim të madh në kanalin e Ibër-Lepencit, për të cilin institucionet e Kosovës e kanë fajësuar direkt Serbinë. Ndërkombëtarët gjithashtu kanë dënuar sulmin, duke kërkuar që autorët të nxirren para drejtësisë.
Për shpërthimin deri tash janë dy serbë në paraburgim.
Para shpërthimit në kanalin e ujit, në veri të Kosovës ishin regjistruar edhe dy incidente me mjete shpërthyese.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.