Arbëri

Bislimi: Kërkesat e shqiptarëve në Luginë plotësisht legjitime dhe të drejta

Protesta e shqiptarëve të Luginës së Preshevës / Foto: ZKM

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka thënë se kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës përmes protestave të hënën janë plotësisht legjitime dhe të drejta.

Bislimi ka shprehur mbështetjen e Qeverisë për shqiptarët e Luginës, duke thënë se mbetet e angazhuar për të ngritur çështjet në nivele të larta ndërkombëtare dhe të kërkojë përkrahje për t’i dhënë fund diskriminimit nga Beogradi. 

“Shqiptarët e Luginës së Preshevës vijojnë të përballen me një situatë të papranueshme diskriminimi sistematik, që cenon të drejtat e tyre themelore. Kërkesat e tyre për ‘respektimin e marrëveshjeve politike, ndalimin e pasivizimit të adresave, njohjen e diplomave të Kosovës dhe përfshirjen e drejtë në institucionet shtetërore’ janë plotësisht legjitime dhe të drejta. Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet bashkëkombësit tanë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë si dhe mbetet e angazhuar për të ngritur këto çështje në nivelet më të larta ndërkombëtare dhe të kërkojë përkrahje për t'i dhënë fund diskriminimit të padrejtë”, ka shkruar ai në Facebook. 

Bislimi ka shtuar se zgjidhja e këtyre çështjeve është dëshmi edhe për përkushtimin ndaj demokracisë dhe të drejtat e njeriut, “e cila mungon nga fqinji verior, që në vazhdimësi shkel të drejtat e komunitetit shqiptar”.