Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar me ekipin e tij për në Bruksel, ku do të zhvillojë bisedime në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.
Kryenegociatori i Kosovës, Bislimi, do të takohet me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçakun.
“Zëvendëskryeministri Bislimi ka udhëtuar për në Bruksel, ku do të marrë pjesë në takime në kuadër të procesit të dialogut me Serbinë”, ka thënë për KOHËN, Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Bislimi.
Me Bislimin ka udhëtuar edhe ish-kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, këshilltare tash e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Raportohet se është hera e parë që një figurë politike nga Lugina e Preshevës merr pjesë në dialog.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka njoftuar se pala kosovare ka udhëtuar në Bruksel, ndërsa ka thënë se do të ketë takime në nivel kryenegociatorësh.
Borrell ka thënë se duhet arritur një zgjidhje praktike për çështjen e targave para 21 nëntorit, kur edhe do të fillojë Kosova me gjobitjen e qytetarëve që kanë vetura me targa ilegale të lëshuara nga Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës.
Borrell e ka cilësuar situatën në Kosovë më të rrezikshmen që nga viti 2013.
“Do të nisim takime me kryenegociatorët. Pala kosovare po vjen sonte, jam i gatshëm të bisedojë me liderët, nëse negociatorët arrijnë te një zgjidhje praktike te çështja e targave dhe atë para 21 nëntorit, që është afati i fundit. Nuk mund të arrijmë këtë datë, pasi do të jemi në situatë të rrezikshme. E dini se tërheqja e serbëve në veri nga Policia, gjyqësori, ka krijuar një vakum. Në këtë vakum më e keqja mund të ndodh. Mesazhi nga Këshilli është i qartë, dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet, na duhet progres i qartë. Kemi prezantuar një propozim. Falënderojmë Gjermaninë e Francën që kanë përkrahur këtë propozim. Serbët e Kosovës duhet të kthehen në institucione të Kosovës, autoritetet e Kosovës të tregojnë fleksibilitet për targat, e të punojnë në implementimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe pa vonesa”, ka thënë Borrell.