Arbëri

Bislimi: Çka ka të bëjë me avancim të shtetit, e pengon PDK-ja

Besnik Bislimi

Foto: Driton Paçarada

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se opozita po përpiqet ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave Evropiane (SEPA). 

Ai ka thënë se me njoftimin e PDK-së se do t’i dërgojë në Gjykatë Kushtetuese 20 ligjet e miratuara në Kuvend, dëshmohet se “ky është mjet i tyre për të tentuar ndalimin e hovit të avancimit dhe zhvillimit të shtetit, por edhe se ndihen të kërcënuar nga një shtet që zhvillohet e bën progres”.

Në mesin e këtyre ligjeve, Bislimi ka përmendur tre për zhvillimin financiar që i hapin rrugë anëtarësimit në SEPA. Ai ka thënë se PDK-ja po pengon çfarëdo që ka të bëjë me transparencë financiare. 

“Bëhet fjalë për ligjin për bankat, ligjin për shërbimet e pagesave dhe ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e terrorizmit. Ligjet janë të parapara të sjellin më shumë transparencë financiare në vend, përafrim me tregun e Bashkimit Evropian si dhe përfitime të prekshme për qytetarët. Anëtarësimi në SEPA do të sjellë dhe një ulje të kostos së pagesave ndërkufitare deri në 55 milionë euro në vit. Ato janë një lehtësim i madh për familjet që pranojnë para nga të afërmit jashtë vendit dhe për bizneset që operojnë me partnerë ndërkombëtarë. Pra PDK-ja po ka qëllim që t'i dëmtojë qytetarët dhe bizneset në koston e të paktën 55 milionë eurove në mënyrë direkte në vit”, ka shkruar ai në Facebook.

Bislimi ka shtuar tutje se PDK-ja po pengon edhe Byron Shtetërore për Verifikim dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. 

“Ç'ka ka të bëjë me transparencë financiare, e pengon PDK-në. Ç'ka ka të bëjë me ulje të kostos për bizneset dhe qytetarët e pengon PDK-në. Ç'ka ka të bëjë me avancim të shtetit, e pengon PDK-në”.