Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka akuzuar Serbinë se po pengon një donacion të Qeverisë së Kosovës për bujqit shqiptarë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Në një status në Facebook të martën, Bislimi ka thënë se donacioni i Qeverisë së Kosovës synon ta përmirësojë jetën e komunitetit shqiptar në Luginë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër përpjekjet e autoriteteve serbe për të ndaluar donacionin e dedikuar për subvencionimin e bujqëve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ky donacion, i inicuar me kërkesë të Këshillit Kombëtar Shqiptar, synon të përmirësojë jetën e komunitetit shqiptar dhe të mbështesë zhvillimin ekonomik të rajonit patur parasysh që edhe më tej komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës janë ndër komunat më të pazhvilluara në Serbi, ndër më të varfërat me papunësi të lartë e veçanërisht tek të rinjtë”, ka shkruar ai.
Sipas Bislimit, 1.178 bujq kanë aplikuar për donacionin që kur Këshilli Kombëtar Shqiptar shpalli thirrjen më 26 tetor. Por, siç shkruan ai, Ministria e Serbisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave dhe Dialog Social sot ka vendosur t’i privojë shqiptarët në Luginë nga kjo ndihmë.
“Më 26 tetor 2024, Këshilli Kombëtar Shqiptar shpalli thirrjen publike për bujqit, duke pranuar mbi 1,178 aplikime. Ndërkohë, Ministria e Serbisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave dhe Dialog Social, ka ndërhyrë për të bllokuar këtë proces, duke kërkuar anulimin e vendimit për thirrjen publike. Pikërisht më 10 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë i është mbivendosur privimi nga mundësia e ndihmës nga Republika e Kosovës”, ka shkruar tutje Bislimi.
Ai ka ftuar Bashkimin Evropian, OSBE-në, shtetet e QUINT-it dhe organizata e tjera ta monitorojnë rastin dhe të mbrojnë të drejtat e shqiptarëve në Luginë.
“Serbia nuk ka asnjë të drejtë të pengojë mbështetjen tonë për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ftojmë Bashkimin Evropian, OSBE-në, shtetet e Quint-it dhe organizatat e tjera ndërkombëtare të monitorojnë këtë situatë dhe të veprojnë për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Qeveria e Kosovës qëndron e përkushtuar për të ndihmuar shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe identitetin kombëtar, kulturor e gjuhësor”, ka shkruar zëvendëskryeministri.