Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi ka folur edhe për integrimin e serbëve të Kosovës.
Ajo ka thënë se komuniteti serb në Kosovë po përballet me presion të ashpër nga Beogradi.
Sipas saj, ata po instrumentalizohen për interesat e Beogradit dhe jo për interesat e tyre.
“Serbët e Kosovës kanë nevojë për një lidership që i çon para interesat e tyre dhe jo interesat e Beogradit. Po ashtu ata janë shumë në presion dhe të kërcënuar sepse varen nga ndihma financiare e Beogradit dhe kjo është një gjë për të cilën Kosova duhet ta shikojë si të përshihet në mënyrë që ata të kontribuojnë për të ardhmen e Kosovës, për perspektivën e tyre brenda Kosovës”, ka thënë ajo.
Megjithatë, Biserko ka deklaruar se nuk ka pasur shumë kontribut të shtetit të Kosovës “për t’i bërë për vete serbët e Kosovës”.
Ajo ka shtuar se ndoshta nuk ka qenë as e mundshme sepse Beogradi, për shumë vite, ishte përpjekur për ta ndarë Kosovën.
Biserko ka deklaruar se ideja për ndarje të Kosovës është ende në tavolinë kur flitet për qëllimet e Serbisë por jo edhe nga komuniteti ndërkombëtar.
“Pas rastit të Banjskës dhe luftës në Ukrainë, konteksti ndërkombëtar ka ndryshuar dhe siç e dini, është përfolur për një front të dytë në Ballkanin perëndimor, dhe që atëherë komuniteti perëndimor e ka rritur prezencën e tij”, ka thënë ajo.
Pas rastit të Banjskës, ka shtuar Biserko, ka një qasje të re ndaj Serbisë.
“Ka një qasje të re anipse ata janë ende duke mbajtur derën hapur ndaj Serbisë për të iu bashkangjitur anës perëndimore në vend të lindjes. Janë disa ndryshime që diskutohen në Serbi dhe që përshkruhen si akte armiqësore nga perëndimi ndaj Serbisë”, ka thënë ajo.
