Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, në një diskutim me publicistin Veton Surroi në podcastin PIKË, paralajmëroi se një aleancë mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë do të kishte pasoja të rënda për Evropën dhe veçanërisht për Ballkanin.
“Evropa është në një pikë kthese. Ka disa fronte të hapura – nga njëra anë SHBA, nga tjetra Rusia me luftën në Ukrainë – dhe kjo marrëdhënie e re mes Amerikës dhe Rusisë mund të sjellë pasoja katastrofike për Evropën, që nga siguria deri te stabiliteti demokratik”, ka thënë Biserko.
Ajo theksoi se Ballkani është reduktuar në një “çështje ruajtjeje të paqes” dhe jo një projekt demokratizimi, teksa fuqitë e mëdha e kanë lënë rajonin në margjinat e interesit politik ndërkombëtar.
Sipas saj, situata në Serbi është veçanërisht alarmante.
"Ka një rebelim të ri, të thellë dhe autentik, që nuk do të shuhet lehtë. Studentët dhe qytetarët po ngrihen përtej frikës, me një ndjenjë lirie që nuk është parë më parë", u shpreh Biserko.
Ajo përmendi mbështetjen e vakët të Perëndimit për këto lëvizje dhe vlerësoi se mungesa e reagimit mund të çojë në destabilizim më të madh.
Nga ana tjetër, Veton Surroi e quajti këtë situatë “fenomen historik”, duke theksuar se Serbia ka qenë i vetmi vend në rajon që nuk e ndoqi rrugën drejt demokracisë në fund të shekullit të 20-të.
“Në vitet '89-'90 Serbia shmangu demokracinë, dhe tani, në një kohë recesioni demokratik, shohim një lëvizje që mund të sjellë ndryshim të thellë”, ka thënë ai.
