Dita Botërore e Refugjatëve është shënuar në Kosovë me përurimin e Qendrës së saporinovuar të Azilit në Vranidoll. Me këtë rast u vlerësua trajtimi që Kosova u bën refugjatëve në dy qendrat e dedikuara për këtë qëllim. Në pjesën e parë të këtij viti numri i azilkërkuesve ka rënë dukshëm.
Për shkak të luftës në Siri, Nasser Almassalma, është larguar nga vendi i tij dhe ka gjashtë muaj që kërkon azil në Kosovë.
Për këtë kohë, ai ka qëndruar në qendrën e azilit në fshatin Vranidoll të Prishtinës.
53-vjeçari sirian thotë se kosovarët e kanë mirëpritur, andaj shpreson të fitojë lejeqëndrim në Kosovë.
“Shpresoj të qëndroj këtu sepse më pëlqen shoqëria myslimane. Kam aplikuar dhe shpresoj të marrë dokumentet e Kosovës. Nuk kam asnjë problem me njerëzit këtu sepse ata janë shumë të mirë dhe të gjithë më kanë pranuar mua. Prandaj dua të qëndroj këtu, të punoj dhe ta sjellë familjen edhe familjen time ma Siria”, ka thënë Almassalma.
Por numri i të huajve si Almassalma që kërkojnë azil në Kosovë ka rënë dukshëm.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për periudhën janar-maj të këtij viti, azil kanë kërkuar 157 shtetas të huaj. Kurse vitin e kaluar, gjatë kësaj periudhe institucionet kanë pranuar 694 kërkesa për azil.
“Brenda nëntë muajve duhet të vendoset lidhur me kërkesën për azil. Sipas një mesatareje që e kemi nxjerrë, 25 ditë është mesatarja e qëndrimit në Kosovë, disa prej tyre qëndrojnë më gjatë dhe marrin statusin e azilit, por ka edhe prej atyre që u refuzohet kërkesa për azil dhe pastaj u jepet një afat vullnetar që ta lëshojë Kosovën brenda 30 ditëve”, ka deklaruar Fitim Zariqi, drejtor i Qendrës për Azil në Magurë dhe Vranidoll.
Qendra e azilkërkuesve në Vranidoll, e cila shërben si objekt ndihmës i qendrës kryesore në Magurë të Lipjanit, është rinovuar së fundmi me fonde të Bashkimit Evropian dhe në bashkëpunim me UNCHR-në.
Përurimi i objektit të rinovuar me kapacitet për akomodimin e 200 personave është bërë të premten, në Ditën Botërore të Refugjatëve.
“Ju sigurojmë që do të punojmë, të ofrojmë siguri dhe mirëqenie dhe të angazhohemi maksimalisht që të gjithë të strehuarit që aktualisht janë këtu dhe të tjerët që mund të vijnë pas tyre të kenë trajtim me dinjitet dhe kudo në Kosovë”, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Duke parë fëmijët, të cilëve u është lejuar të shkojnë në shkollë, ne e kuptojmë që njerëzit, të cilët nuk e kanë pasur mundësinë të jenë në shtëpitë e tyre dhe të jetojnë një jetë normale, e kanë tani një rast që të kalojnë traumatizimin e të jetuarit në vendin e tyre”, ka deklaruar Luigi Bruga nga Zyra e BE-së në Kosovë.
Sipas statistikave të MPB-së, në vitin 2018 kanë kërkuar azil në Kosovë 596 persona, më 2019 gjithsej 2 mijë e 81 persona. Kurse 1 mijë e 409 kërkesa për azil janë bërë në vitin 2020.
Numri më i madh i azilkërkuesve janë nga Siria, Palestina, Algjeria, Maroku, Iraku dhe vende të tjera.