Pak orë pasi u publikua një fotografi që shfaqte biçikletat e Komunës së Prishtinës në një oborr pranë një serre në lagjen “Kalabria”, ndërmarrja komunale “Prishtina Parking” ka thënë se biçikletat po mbahen në një zonë të sigurt dhe janë nën vëzhgim të vazhdueshëm të kamerave.
Faqja “Vrojtuesit e lagjes” të enjten publikoi një fotografi në të cilën shihen dhjetëra biçikleta afër një serre në një zonë që duket sikur oborr. E disa orë më pas, ndërmarrja “Prishtina Parking” doli me një sqarim në faqen e vet në Facebook. Aty ka thënë se biçikletat aktualisht janë në fazë të mbushjes me rrymë elektrike. Sipas njoftimit, biçikletat do të vendosen në stacione më 1 mars.
“Për shkak të stinës së dimrit, ne kemi marrë masa të posaçme për të siguruar mbrojtjen e biçikletave të ‘Prishtina Bikes’ duke i vendosur në një hapësirë të mbyllur dhe të monitoruar vazhdimisht me kamera, për të shmangur çdo dëm të mundshëm. Biçikletat do të vendosen në stacione më dt. 01.03.2025. Aktualisht, jemi në fazën e mbushjes së biçikletave me rrymë elektrike, proces i cili zgjat 24 orë për një biçikletë, një hap kyç për funksionimin e duhur të tyre. Biçikletat përgjatë tre muajve kanë qenë të vendosura në ambient të mbyllur. Mirëpo, pjesë e procesit të mbushjes është ekspozimi i tyre në diell, duke përdorur energjinë solare për të optimizuar mbushjen si dhe për të garantuar performancë afatgjatë të biçikletave”, thuhet në sqarim të “Prishtina Parking”.
E zonën ku po mbahen këto biçikleta, ndërmarrja e ka cilësuar të sigurt.
“Biçikletat janë vendosur në një zonë të sigurtë në lagjen Kalabria, nën vëzhgimin e kamerave dhe janë nën mbikëqyrjen tonë të vazhdueshme, duke siguruar që çdo detaj të jetë nën kontroll”, thuhet tutje në sqarim.
Biçikletat ishin blerë në vlerë prej rreth 2700 eurosh copa. Komuna pati ndarë 500 mijë euro për këto biçikleta që planifikoheshin të përdoreshin për transport publik. Ato ishte raportuar të kenë ardhur në dhjetor të 2023-s.