Beteja për shtet, sovranitet e ruajtje të territorit u zhvillua mëngjesin e hershëm të 24 shtatorit, pas sulmit nga një grup paraushtarak serb ndaj një patrulle të zakonshme të Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Sulmi nga grupi i armatosur serb përbën cenimin më të rëndë ndaj sigurisë së Kosovës, prej çlirimit nga Serbia në 1999-n
Një fshat i vogël pranë kufirit me Serbinë u kthye në fushëbetejë për institucionet e sigurisë së Kosovës, pothuajse 16 vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e 25 nga përfundimi i luftës.
Beteja për shtet, sovranitet e ruajtje të territorit u zhvillua mëngjesin e hershëm të 24 shtatorit, pas sulmit nga një grup paraushtarak serb ndaj një patrulle të zakonshme të Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
Rruga që disa policë përshkuan me synim të luftimit të kontrabandës shënoi fillimin e një beteje për ta mbrojtur territorin nga serbë të trajnuar për sulme terroriste.
Në orët e para të së dielës së fundit të shtatorit, tre policë kufitarë në detyrë, që po lëviznin me një automjet të pablinduar, panë pas mesnate dy kamionë të vendosur në rrugën mbi urë, afër Manastirit në fshatin Banjskë. Fillimisht dyshuan se bëhej fjalë për import ilegal të mallrave. E, sapo mbërritën përforcime, u sulmuan me armë e mjete shpërthyese.
Nga sulmi me predha mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, e u plagos zyrtari tjetër policor Alban Rashiti.
Ajo çfarë u fsheh pas bllokadës në hyrje të fshatit, doli të jetë shumë më e rrezikshme sesa paraqitej në fillim. Pjesëtarët e grupit paraushtarak serb u strehuan në Manastir. Në dhe për rreth objekteve të tij vendosën armatimin e rëndë e brenda objektit të kultit bllokuan dhjetëra zyrtarë e pelegrinë.
Thirrjeve të vazhdueshme të policisë për t’u dorëzuar, terroristët iu përgjigjën me të shtëna zjarri e hedhje granatash. Përballja e armatosur vazhdoi pothuajse gjatë gjithë ditës. Tre sulmues u vranë dhe dy u plagosën.
Njëri nga dy të arrestuarit u konfirmua si pjesëtar i organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”, ndërkaq një tjetër nga të vrarët ishte truprojë e shefit të BIA-s, Aleksandar Vulin.
Fshati Banjskë doli të jetë vetëm një ndalesë e shkurtër e grupit paraushtarak serb.
Ndonëse sulmuesit gjetën rrugë për t’u arratisur për në Serbi, prapa lanë arsenal të madh ushtarak, e dëshmi të synimit të tyre: aneksimin e pjesës veriore të Kosovës, për t’ia bashkuar Serbisë.
Një ditë pas sulmit, hapësira e kampit të policisë në veri u mbush me autoblinda, automjete, motorë, mina, zolla, predha minahedhëse, granata, eksplozivë, armë të kalibrit të rëndë, mitraloza, karikatorë për AK47, antiplumba, municion të kalibrit të ndryshëm, dylbi, radiolidhje, kamera, uniforma ushtarake, harta, telefona e gjësende dhe pajisje të tjera. Sipas autoriteteve, vlera e armatimit ishte më e madhe se 5 milionë euro.
Në to dëshmi u gjetën edhe për përfshirjen e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojçiq. Kjo përfshirje u faktua më vonë edhe me pamje të xhiruara nga droni. Pas tyre, vetë Radoiçiq e pranoi organizimin e grupit që realizoi sulmin e edhe drejtimin e tij.
Vepra e Afrim Bunjakut, rreshterit të rënë në detyrë, u lartësua jo vetëm nga krerët shtetërorë, por edhe nga diplomatë të akredituar në Kosovë. Ai u bë simbol i mbrojtjes së territorit të shtetit, pas sulmit më serioz ndaj Kosovës.
Kosova shpalli ditë zie për rreshterin e vrarë.
E, në veri, Lista Serbe vajtoi terroristët e vrarë. Ditë zie për ta u shpall edhe në Serbi.
Sulmi i 24 shtatorit nxiti reagime të shumta. Me gjithë kërkesat, drejtësia për të nuk është vënë në vend e udhëheqësi i sulmit vazhdon të endet i lirë në Serbi, ndonëse është intervistuar nga prokuroria e këtij shteti.
Gjurmët e përballjes së armatosur për një kohë mbetën në terren, ashtu sikurse dëmet në autoblindat e Policisë e në objektet e Manastirit që janë dëshmi tjetër e këtij konfrontimi të armatosur.
Gjithçka që mbeti pas i shërbeu hetuesisë, por Prokuroria tek pak ditë para përvjetorit të parë të sulmit ka ngritur aktakuzë për atë që ka ndodhur.
Edhe pas sulmit, Kosova për një kohë vazhdoi të jetë cak i kërcënimit nga fqinji verior. Përgjatë kufirit me të u vendosën forca të shtuara ushtarake, të cilat Serbia i tërhoqi tek pas paralajmërimit ndërkombëtar për ndëshkim.
Një vit pas sulmit në Banjskë, alarmi për sulme të ngjashme vazhdon të jetë i lartë. Javën e shkuar, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, alarmoi se një i tillë mund të përsëritet për aq kohë sa Serbia i mban të lirë përgjegjësit.
Pas sulmit të Banjskës, NATO-ja shtoi praninë në Kosovë e për rrjedhojë edhe patrullimet përgjatë kufirit me Serbinë. Eprorët e KFOR-it thanë se janë në gjendje gatishmërie për të intervenuar edhe me ushtarë të tjerë e me pajisje edhe më të rënda ushtarake.
Thirrjet për rezistencë ndaj autoriteteve kosovare u bënë edhe gjatë këtij viti. Mbishkrimi “Kur ushtria kthehet në Kosovë” u vendos në veri e grafite që flasin për mbijetesën e organizatave terroriste vazhduan të ekspozohen në objekte, në katër komunat e veriut të banuara kryesisht me serbë.
Ndërkaq, dy ditë pas ngritjes së aktakuzës ndaj Radoiçiqit dhe anëtarëve të grupit përgjegjës për sulmin në Banjskë, pamflete me mesazhe kërcënuese janë vendosur në disa lokacione në veri. Një nga to ka këtë përmbajtje: “Komandant, vetëm thuaj, fluturojmë si plumba”.
Sulmi në Banjskë përbën cenimin më të rëndë ndaj sigurisë së Kosovës, prej çlirimit nga Serbia në 1999-n, dhe ka alarmuar se siguria ndodhet nën kërcënim, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.