Pacientët jo gjithmonë janë në luftë vetëm me kancerin. Mungesa e citostatikëve dhe e medikamenteve të tjera të kushtueshme apo defektet që i nxjerrin aparaturat jashtë funksionit janë fronte shtesë që u hapen atyre.
Leoreta Fondaj është nga Suhareka dhe ka 15 vjet që me forcën e saj e lufton sëmundjen e kancerit.
Ajo kalon 68 kilometra për të mbërritur në Prishtinë që ta marrë terapinë, e për të zënë radhën në Klinikën e Onkologjisë i duhet që të niset pa zbardhur dita.
“Unë zakonisht prej Suharekës para orës gjashtë shkoj për ta zënë radhën me e marrë një terapi, e ndoshta më vjen rendi diku në orën 11 ose 12, sepse ka shumë”, ka thënë Fondaj.
Me mëngjes Klinika mbushet me njerëz. Sivjet aty u diagnostikuan dhe filluan mjekimin për herë të parë rreth 1 mijë e 100 pacientë, ndërsa më shumë se tre mijë vazhduan trajtimin.
Onkologjia është një nga klinikat e QKUK-së të rinovuara gjatë 2024-s. Dhomat janë riorganizuar, është ndërruar edhe inventari, por investimi nuk e ka zgjidhur njërin prej problemeve kryesore – pritjen e gjatë që duhet ta bëjnë pacientët për të marrë shërbimet.
Leoreta thotë se kjo është sfidë më vete.
“Unë shoh shumë aty që i bie në ora pesë e mëngjesit me ardhë me autobus. Është vështirë”, ka deklaruar ajo.
Pavarësisht sfidave të shumta, 43-vjeçarja thotë se për të mos u dorëzuar gjeti forcën te familja e saj.
“Vetë fjala kancer domethënë shumë, jo me e pa një ndryshim komplet në trupin tënd. Për shembull, me dalë para pasqyrës, me pa veten pa flokë dhe pa gjoks. Nuk është e lehtë, sidomos për femra. Mirëpo për mua ka qenë e rëndësishme fëmija. Sfidat janë për njerëz të fortë, kështu që çkado që vjen është e mirëseardhur”, ka thënë Fondaj.
Edhe pse buxheti i ndarë për Listën e Barnave Esenciale është më i larti ndër vite, pacientët përballen vazhdimisht me mungesë të medikamenteve.
Mungesa e citostatikëve dhe e barnave tjera të kushtueshme, apo defektet që i nxjerrin aparaturat jashtë funksionit, janë fronte shtesë që u hapen pacientëve.
Që nga viti i kaluar një pjesë e vogël e terapive tabletare jepet në Spitalin e Prizrenit. Për 43-vjeçaren nga Suhareka kjo nuk është e mjaftueshme. Ajo thotë se decentralizimi edhe më shumë i shërbimeve onkologjike do t’ia lehtësonte betejën me kancerin.
Nysret Krapaj e kupton rëndësinë që ka decentralizimi. Ai udhëton dy herë në javë nga Zymi i Komunës së Dragashit për të marrë kimioterapinë në Prishtinë.
“Qe tre muaj ankohem prej veshkave, me konstatimin se në veshka janë krijuar cistat. Jam i obligueshëm që të marr këtë terapi. Dy herë në javë na bjen me ardhë nga Dragashi. Në ditën e mërkurë dhe në ditët e premte. Vij një natë më përpara, kaloj natën këtu te djali”, ka thënë Krapaj.
Gjatë vitit pacientët me kancer blenë disa barna që iu përshkruan nga mjekët, e që nuk janë pjesë e Listës së barnave esenciale, janë të kushtueshme e nuk mund të blihen në Kosovë.
Tek në fund të vitit disa nga to u përfshinë në Listën e përditësuar.
Ankesa nuk bëjnë vetëm pacientët, që frontin kryesor e kanë me sëmundjen.
Në Klinikën e Onkologjisë thonë se ka nevojë për mbështetje me staf të mesëm.
“Do të jetë shumë e domosdoshme që edhe vitin e ardhshëm të kemi numër shtesë të infermierëve, meqenëse nevojat për trajtime onkologjike nga viti në vit rriten dhe në të njëjtën kohë edhe shërbimet shtohen dhe trajtimet onkologjike zgjasin. Pra, nuk janë trajtimet që zgjasin disa minuta, por me orë, me ditë, ndonjë trajtim dhe gjatë gjithë kohës ose gjatë gjithë vitit”, ka thënë Ilir Kurtishi, drejtor i Klinikës së Onkologjisë.
Në javën e parë të dhjetorit pacientët patën mundësi që shërbim të merrnin edhe pasdite. Kjo, meqë për të shkarkuar numrin e madh të pacientëve QKUK-ja vendosi që në Onkologji të punohet me dy ndërresa.