Arbëri

Beteja dydekadëshe e Shyhrete Berishës për trashëgiminë mbetet pa epilog

Për të tretën herë brenda njëzet vjetësh, Gjykata Themelore në Prizren ka marrë vendim rreth padisë së Shyhrete Berishës, të mbijetuarës së masakrës në Suharekë. Berishës i është njohur e drejta mbi gjysmën e shtëpisë në të cilën ka jetuar me bashkëshortin dhe fëmijët, të cilët u vranë gjatë luftës. Betejën e gjatë për trashëgiminë, Berisha e ka quajtur “vrasje për së dyti”

Rasti i Shyhrete Berishës nuk pritet të marrë epilog as pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Themelore në Prizren.

Shyhrete Berisha, e mbijetuar e masakrës në Suharekë, që nga viti 2001 është duke e kërkuar të drejtën e trashëgimisë mbi pronën e bashkëshortit të saj, i vrarë gjatë luftës, bashkë me katër fëmijët e çiftit.

Asaj, pas kthimit në Kosovë nga strehimi jashtë vendit, prindërit e bashkëshortit nuk ia kishin lejuar qasjen në shtëpinë ku kishte jetuar dhe as të drejtën për ta trashëguar, për ç’arsye kishte ngritur padi.

Dega në Suharekë e kësaj gjykate, ditë më parë, sërish vendosi që Berishës t’i njihet e drejta mbi gjysmën e shtëpisë.

Në aktgjykimin, të cilin e posedon KOHA, gjyqtari Shaban Zeqiri ka vendosur që asaj t’i njihet një e dyta e shtëpisë, ose që bashkëpronarët - vëllezërit e burrit – ta kompensojnë në një shumë prej mbi 130 mijë eurosh.

Është ky vendimi i tretë për këtë rast i Gjykatës, si pasojë e kthimit në rigjykim. Stërzgjatja e këtij procesi e ka dëmtuar emocionalisht edhe vetë Berishën.

“Fillimisht ushtria dhe policia serbe m’i kanë vrarë fëmijët, burrin dhe gjithë familjen. Për herë të dytë më kanë vrarë shpirtërisht shqiptarët, pra njerëzit që i kam respektuar, i kam njoftë dhe të cilët kanë dashtë që unë të mos jem gjallë, që të mos jetoj në pronën time dhe të fëmijëve të mi, që të zhdukem përgjithmonë... Për mua ka qenë jashtëzakonisht shumë e vështirë, nuk mundem ta përshkruaj se çfarë kam përjetuar gjatë këtyre viteve... siç thotë populli: ‘Njeri është më i fortë se guri... drejtësia vonon, por më në fund erdhi”, ka thënë Berisha.

Më 2017, Themelorja në Prizren kishte vendosur që Berishës t’i takojë gjysma e shtëpisë, si dhe gjysma e dy ngastrave kadastrale.

Por këto dy ngastra kadastrale, këtë herë gjykata ia refuzoi, për ç’arsye avokati mbrojtës i saj ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Kundër vendimit të gjykatës është shprehur edhe avokatja e Shpresa Berisha -Rexhepit, e cila e përfaqëson kunatin e Shyhretes, Xhelal Berishën. Ajo ka thënë se ligjërisht nuk ekziston bazë juridike për aprovim të kërkesë-padisë së Shyhretes lidhur me pronësinë.