Pak javë pasi emisari i BE-së, Miroslav Lajçak tha se Serbia është tërhequr nga letra ku zotohej se nuk i zbaton pikat e marrëveshjes që ia konfirmojnë shtetësinë Kosovës, zyrtarët serb kanë paralajmëruar lobim këtë javë në New York, në mbrojtje të integritetit territorial të Serbisë, pjesë të të cilit e konsiderojnë edhe Kosovën. Në SHBA do të jenë edhe udhëheqësit më të lartë të Kosovës, tek paralajmëruan takime me liderë shtetesh dhe udhëheqës të organizatave ndërkombëtare
Beteja diplomatike mes Kosovës dhe Serbisë këtë javë do të zhvendoset në SHBA, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Nga Kosova do të marrin pjesë liderët kryesorë, përfshirë presidenten, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Jashtme, Donika Gërvalla. Përmes një komunikate për media në MPJD thanë se në agjendë janë takimet me liderë shtetesh dhe udhëheqës të organizatave ndërkombëtare.
“Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla ka arritur në New York, ku në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të zhvillojë takime me përfaqësues të lartë të shteteve dhe organizatave të ndryshme botërore. Ministrja Gërvalla do të jetë edhe pjesë e takimeve të ndryshme shumëpalëshe, të cilat do të trajtojnë tema të sigurisë globale dhe rajonale, politikës dhe ekonomisë”, shkruan në komunikatën e MPJD-së.
Me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, Gërvalla mori pjesë në takimin “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, të mbajtur në New York.
“Në fjalën e saj para homologëve nga Ballkani Perëndimor, Ministrja Gërvalla paraqiti perspektivën e Republikës së Kosovës në procesin e integrimit në BE dhe theksoi se Kosova është prijëse e dëshmuar e rajonit si në fushën e sundimit të ligjit dhe standardeve demokratike, ashtu edhe në rritje ekonomike dhe se është vendi me përkrahjen më të madhe qytetare për BE-në dhe NATO-n”, ka njoftuar MPJD-ja të hënën. “Ministrja Gërvalla ftoi grupin ‘Miqtë e Ballkanit Perëndimor’ të përkrahë aplikimin e Kosovës për në BE dhe të ndihmojë konkretisht në trajtimin e kërkesës së dhjetorit të vitit 2022 duke vënë në pah faktin që nuk duhet lejuar Rusia dhe aleatët e saj në rajon të diktojnë ritmin e zgjerimit të BE-së”.
Bashkë me Kryeministrin e Kosovës, sipas MPJD-së Ministrja Gërvalla, do të mbajë takime të ndryshme me komunitetin shqiptar në SHBA e përfaqësues të ndryshëm të shoqatave atje.
E në faqen e partisë Guxo, që në zgjedhjet e 9 shkurtit garon në kuadër të Listës së Vetëvendosjes, kanë paralajmëruar dy takime publike mërgimtarët.
As Zyra e kryeministrit e as MPJD-ja nuk kanë treguar nëse kanë në agjendë takime me përfaqësues të Departamentit Amerikan të shtetit dhe zyrtarë tjerë të lartë amerikanë. Po ashtu nuk kanë treguar se cila do të jetë mënyra e përfaqësimit të Kosovës dhe nëse do të kenë takime edhe brenda selisë së Kombeve të Bashkuara. Për Kosovën OKB-ja mban diskutime të rregullta çdo gjashtë muaj, ku flitet për situatën e përgjithshme, sipas rezolutës 1244.
Nga ana tjetër, zyrtarë serb po ashtu kanë paralajmëruar se Kosova do të jetë një nga temat e diskutimit në SHBA. Edhe pse emisari i BE-së, Miroslav Lajçak deklaroi para disa ditësh se Serbia është tërhequr nga letra në të cilën deklaronte se nuk i zbaton pikat që ia konfirmojnë shtetësinë Kosovës, zyrtarët serb kanë paralajmëruar se nuk do ta ndalin lobimin kundër Kosovës.
“Kosova dhe Metohija do të jenë pjesa më e rëndësishme e bisedimeve të mia dhe do t'u kërkoj liderëve botërorë mbështetjen e tyre kudo për të siguruar mbijetesën e popullit tonë”, ka theksuar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Për takimet në New York ka folur edhe ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq , tek përmendi mbrojtjen e Manastireve në Kosovë.
“Në këtë seancë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Serbia shkroi një pjesë në dukje të vogël por domethënëse të historisë së saj diplomatike përmes vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me disa vende me të cilat nuk kemi pasur asnjë komunikim dhe ndërveprim. Fjala është për sa i përket popullsisë dhe territorit, për shtete më të vogla, por që janë anëtare në OKB dhe UNESCO, ku çdo votë është e rëndësishme për ne, sepse në ato organizata mbrojmë manastiret tona në Kosovë dhe Metohi, si dhe integritetin dhe sovranitetin tonë territorial. Së bashku me shumë vende, ne qëndrojmë për mbrojtjen e parimeve të Kartës së OKB-së, të drejtën ndërkombëtare dhe avokimin për paqen”, ka thënë Gjuriq.
Pavarësisht denoncimit të vazhdueshëm të Serbisë nga zyrtarët e Kosovës për nxitje të tensioneve në veri, as ShBA-ja e as BE-ja nuk i kanë vendosur asaj sanksione.
Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, thotë se SHBA-ja dhe BE-ja po vazhdojnë ta mbrojnë një pushtet të korruptuar dhe jo demokratik.
“Problemi është se si Uashingtoni sikurse edhe Brukseli kanë dështuar të reagojnë në mënyrën e duhur ndaj politikës së frikësimit të Beogradit. Ata kanë vazhduar ta lavdërojnë Vuçiqin duke mos e kritikuar regjimin e tij të korruptuar dhe antidemokratik. Ndërkaq e kanë sanksionuar Kosovën e jo Serbinë. Kjo është e padrejtë”, ka thënë Serwer.
Tek ka folur për rreziqet që i kanosen Ballkanit Perëndimor, Serwer ka treguar se cilat duhet të jenë prioritetet e BE-së dhe SHBA-së.
“Mendoj se si SHBA-ja ashtu edhe BE duhet t'i japin prioritet integritetit territorial dhe sovranitetit të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Dhe duke e bërë këtë, ta ndihmojnë Kosovën që ta zgjerojë autoritetin e saj në veri në mënyrë të favorshme dhe të drejtë. Në të njëjtën kohë, ajo duhet të kërkojë nga Serbia që t’i trajtojë shqiptarët në Serbinë jugore ashtu siç kërkon që të trajtohen serbët e veriut të Kosovës”, ka potencuar ai.
Sipas Serwerit, reciprociteti është rregulli më themelor i demokracisë por kjo nuk ka mbizotëruar kur është fjala me Serbinë.