Në 2019-n, ATK-ja i pranoi në punë 20 inspektorë tatimorë. Por, prej atëherë, kandidatja Floriana Kukaj-Zekaj nuk e ka ndalur luftën ligjore me këtë institucion, pasi beson se iu bë e padrejtë. Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës ka konstatuar se së paku pesë kandidatë ishin punësuar pa i përmbushur kushtet bazë dhe ka obliguar ATK-në ta korrigjojë listën e para pesë vjetësh. Por, deri tash ky institucion nuk i është bindur vendimit. Gjatë muajit të shkuar ATK-ja e ka njoftuar kandidaten Kukaj-Zekaj se mund t’ia nisë punës e më pas ia ka përcjellë informatën e dytë se vendimi për punësim është anuluar
Ka 5 vjet që Floriana Kukaj-Zekaj bën luftë ligjore me institucionet në përpjekjen për t’i evituar padrejtësitë që konsideron se iu bënë në konkursin për pranim në punë si inspektore tatimore në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).
E, pasi pjesë e madhe e pretendimeve të saj u konfirmuan, dy njoftime kontradiktore i pranoi muajin e shkuar.
Me njërin ATK-ja e njofton se do të lidhë marrëdhënie pune.
“Duke vepruar sipas pikës 1 të këtij vendimi... themelon marrëdhënien e punës në Administratën Tatimore të Kosovës dhe konform këtij vendimi të njëjtës i lëshohet akti i emërimit në pozitën inspektor i mesëm tatimor me fillim nga data 14.6.2024”, thuhet në vendimin e datës 14 maj 2024 dhe që mban nënshkrimin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm të ATK-së, Ilir Murtezaj.
Por, pas pak ditësh, Murtezaj është bërë pishman dhe ka anuluar këtë vendim.
“Znj. Floriana Kukaj Zekaj të njoftohet nga Divizioni i Burimeve Njerëzore se vendimi paraprak nr. 11-227 të datës 14.5.2024 nuk prodhon asnjë efekt juridik nga hyrja në fuqi e këtij vendimi”, thuhet në vendimin e marrë pesë ditë më vonë.
Avokati i saj, Kadri Osaj, thotë se në mesin e 20 të punësuarve me konkursin e 5 vjetëve më parë u pranuan edhe persona që nuk i përmbushnin kriteret bazë.
“Ankesa e tyre ka qenë shumë e qartë dhe e drejtë: Një, të shfuqizohet vendimi i pranimit të inspektorëve ngase ka pasur parregullsi dhe është bërë shkelje. Në rend të parë kanë marrë informacione ankuesit se kandidatët të cilët janë pranuar nuk e kanë pasur përvojën e mjaftueshme, si dhe nuk i kanë plotësuar kushtet dhe kriteret që janë paraparë me ligj”, i tha KOHËS avokati Osaj.
Beteja ligjore
Lufta me shkresa e kandidates Kukaj-Zekaj ka histori pesëvjeçare dhe daton që nga konkursi i 2019-s me të cilin u pranuan 20 kandidatë, por jo edhe ajo. E bindur se po i bëheshin padrejtësi, u ankua në ATK, duke thënë mes tjerash se nga të pranuarit ka kandidatë që nuk përmbushin kriteret e konkursit, me të cilin kërkohej diplomimi në universitet në profile specifike, përvoja e punës dhe vërtetimi që kandidati nuk ishte nën hetime.
“Ka mospërputhje logjike të prezantimit të vlerësimit për mua si kandidate. Kjo si rezultat i ndikimit në vlerësim, vlerësimit jo të drejtë dhe favorizimit”, thuhet mes tjerash në ankesën e 2019-s.
Komisioni për zgjedhjen e kontesteve dhe ankesave në ATK ia ka refuzuar si të pabazuar ankesën.
Më pas Kukaj-Zekaj është ankuar edhe në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil (KPMSHCK) dhe ky institucion nuk ia ktheu përgjigjen brenda afatit ligjor prej 45 ditësh, nën arsyetimin se nuk kishte kuorum vendimmarrës, shkaku që Kuvendi nuk i kishte emëruar katër anëtarë.
Pas kësaj iu drejtua Gjykatës Themelore me padi.
Ndërkohë pjesë të pretendimeve të saj i konfirmoi Auditori i Jashtëm në raportin e 2019-s, duke konstatuar se dy nga kandidatët e pranuar nuk e dëshmuan përvojën e punës që kërkohej me konkurs.
E, në 2021-tën gjykata aprovon kërkesëpadinë e kandidates Kukaj-Zekaj.
Pas kësaj, KPMSHCK-ja e mori në shqyrtim rastin dhe e shfuqizoi vendimin e komisionit të ATK-së që ia refuzoi ankesën kandidates Kukaj-Zekaj.
“Obligohet Komisioni për zgjedhjen e kontesteve dhe të ankesave i Administratës Tatimore që brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi të bëjë rishqyrtimin e ankesave të ankuesve të përcaktuara në dispozitiv të këtij vendimi, lidhur me zhvillimin e procedurës së rekrutimit për pozitën ‘inspektor tatimor’, për njëzet (20) pozita dhe të vendosë në pajtim me legjislacionin e shërbimit civil, duke marrë parasysh gjetjet dhe konstatimet e këtij vendimi”, thuhet në vendimin e KPMSHCK-së.
Në vendim konstatohet e ATK-ja kur ia shqyrtoi ankesën asaj dhe kandidatëve të tjerë ua refuzoi si të pabazuara “duke mos u lëshuar në trajtimin e gjetjes faktike dhe juridike”.
Një komision ad-hoc i ATK-së i rrëzoi ankesat dhe nuk i mori për bazë ato që i theksoi KPMSHCK-ja.
Hapja e dosjeve zbardh shkeljet
Sërish kandidatja Kukaj-Zekaj është ankuar në KPMSHCK. Ky institucion nuk ktheu përgjigje në afat ligjor, në mungesë të sërishme të kuorumi, por pas funksionalizimit trajtoi konkursin duke hyrë në dosjet e të gjithë kandidatëve.
Më shumë se 4 vjet pas konkursit, Këshilli i konstatoi shkeljet dhe pasi pa dosjet, me emër e mbiemër evidentoi kandidatët e punësuar që u mungonin ose përvoja paraprake e punës ose dokumentet e nevojshme për punësim.
Nëpërmjet vendimit të dytë, KPMSHCK-ja obligoi ATK-në që ta ndryshojë njoftimin për kandidatët e suksesshëm të konkursit, duke saktësuar se kjo duhej të bëhej brenda 15 ditësh.
Në arsyetimin e vendimit theksohet se tre nga të punësuarit “në dosjet e tyre nuk kanë certifikatën nga gjykata kompetente përmes të cilave do të vërtetohej se kanë apo nuk kanë dosje penale, e në këtë kuptim dosjet e këtyre kandidatëve kanë qenë të pakompletuara dhe mbi bazë të dispozitave ligjore, aplikacionet e pakompletuara duhet të refuzohen siç parashihet në dispozitat e nenit 25, paragrafit 2 të Rregullores nr. 02/2010 për procedurat e rekrutimit në shërbimin civil, ngase një dokument i tillë ka qenë kriter i konkursit”.
E, për dy të punësuar të tjerë me këtë konkurs, KPMSHCK-ja ka konstatuar se “në aplikacionin e tyre posedojnë pasqyrën nga trusti, por nuk posedojnë vërtetime të përvojës së punës të lëshuar nga institucionet ku kanë punuar, e të cilat do të dëshmonin se e ka përvojën e punës siç kërkohet me konkurs, ngase me dispozitat ligjore të aplikueshme ka qenë e përcaktuar se kandidatët me rastin e aplikimit duhet të dërgojnë edhe kopjet e dëshmisë së punësimit siç parashihet me nenin 21, paragrafi 2, nënparagrafi 2.1 të Rregullores nr. 02/2010 për procedurat e rekrutimit në shërbimin civil”.
KPMSHCK-ja ka gjetur se një nga kandidatët e punësuar “në bazë të certifikatës së datës 29.03.2019 të lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj është dënuar me aktgjykim të formës së prerë ... i cili aktgjykim ende nuk është ekzekutuar”.
Kësisoj, ndonëse në gusht të vitit të shkuar KPMSHCK-ja e obligoi ATK-në që brenda 15 ditësh ta ndryshonte listën e të pranuarve në 2019-n, konform gjetjeve, ATK-ja nuk e ka bërë këtë ende.
Prej gjashtë ditësh ATK-ja nuk ka kthyer përgjigje në lidhje me kohën kur do ta zbatojë vendimin dhe as për masat e ndërmarra në raport me anëtarët e komisionit, që kanë pranuar çerekun e kandidatëve pa përmbushur kriteret bazë.
E, Kadri Osaj, avokat i kandidates Floriana Zekaj-Kukaj, shprehu pritjen që çështja të marrë epilog shpejt dhe shkeljet e konkursit të evitohen.
Krahas Floriana Kukajt-Zekajt, në proces anekse janë edhe tre kandidatë të tjerë, që pretendojnë se kanë plotësuar kushtet për t’u punësuar në 2019-n.