Është tërhequr nga agjenda e Komitetit për Politikë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, aplikacioni i Kosovës për status të mysafirit special në Këshill të Evropës, ka konfirmuar deputetja Ariana Musliu-Shoshi, nga delegacioni i Kosovës.
Kërkesa e Kosovës ishte paraparë në agjendën e takimit të së mërkurës (5 mars), por u tërhoq në nisje të seancës.
Musliu-Shoshi ka thënë se zhvillimi nuk ishte paraparë as në grupet politike e as si mundësi.
Ajo ka thënë se situata tregon nevojën për mobilizim si shtet “në bashkëpunim me aleatët tanë, për të krijuar një strategji të qartë që do të sigurojë realizimin e prioriteteve dhe agjendave tona në arenën ndërkombëtare”.
Në Serbi e kanë cilësuar “lajm të jashtëzakonshëm”. Kryeparlamentarja Ana Bërnabiq ka thënë se tërheqja e kërkesës së Kosovës për këtë status “është fitore e rëndësishme”.
Mysafiri special ka kompetenca të kufizuara, sipas rregullores së Asamblesë Parlamentare. Mysafiri special mund të ulet në Asamblenë Parlamentare, por nuk ka të drejtë vote. Kanë të drejtë të mbajnë fjalim me leje të presidentit të Asamblesë.
Kosova i ishte afruar anëtarësimit në Këshill të Evropës vitin e shkuar, por aplikacioni u bllokua pas kërkesës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.