“Popullin tonë në Kosovë e Metohi nuk guxon askush, ama askush, ta persekutojë apo ta rrezikojë”, ka thënë kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, para qindra serbëve të mbledhur të hënën në Qendrën multimediale në veri të Mitrovicës. Gjatë qëndrimit të saj në komunat e veriut të Kosovës, ajo ka thënë se Beogradi zyrtar do të insistojë që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe
Njësoj si paraardhësit e saj, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka vazhduar të përçojë mesazhe kërcënuese gjatë vizitës së saj të parë në Kosovë.
“Popullin tonë në Kosovë e Metohi nuk guxon askush, ama askush, ta persekutojë apo ta rrezikojë”, ka thënë, mes të tjerash, Bërnabiq para qindra serbëve të mbledhur të hënën në Qendrën multimediale në veri të Mitrovicës.
Ndonëse i është dashur t’i mbulojë simbolet e shtetit që përfaqëson në targat e veturës me të cilën lëvizte, kryeministrja e Serbisë ka mbajtur qëndrim shpërfillës ndaj realitetit të krijuar pas vitit 1999, e sidomos pas shpalljes së pavarësisë më 2008 .
“Qysh jam ndier kur e kam kaluar linjën administrative të Kosovës? Sinqerisht ju them: si në vendin tim”, është përgjigjur ajo kur është pyetur se si është ndier kur ka kaluar kufirin me Kosovën.
Mes shumë pankartave të cilat Kosovën e prezantonin si tokë të Serbisë, Bërnabiq ka qëndruar për disa orë në veri të Kosovës. Ajo ka thënë se po e viziton Kosovën me qëllimin për të përçuar mesazhe të paqes e stabilitetit, por fjalimin e saj e shoqëruan tone nacionaliste.
"Dëshiroj që nga këtu të dërgoj mesazhin për qetësi, stabilitet dhe tolerancë, gjithashtu një porosi nga presidenti Aleksandar Vuçiq, që gjithmonë do të jemi me popullin tonë në Kosovë e Metohi. Gjithnjë do të mund të mbështeteni në Serbinë tuaj”, është shprehur ajo.
Ndonëse ishin serbët ata që bllokuan dhe vendosën barrikada më 31 korrik të këtij viti, Bërnabiq akuzoi institucionet e Kosovës për provokimet, siç tha ajo, të 31 korrikut.
“Edhe pse në veri po qëndroj në rrethana të rënda, jam shumë e lumtur që pas provokimeve të fundit më 31 korrik kemi arritur të ruajmë qetësinë. Interesi i Serbisë janë qetësia dhe stabiliteti".
Gjatë qëndrimit të saj në veriun e banuar kryesisht me serbë, kryeministrja serbe ka thënë se Beogradi zyrtar nuk do të bëjë kompromis me Asociacionin, të cilin refuzon ta themelojë Qeveria e Kosovës.
“Kemi një lider burrë shteti që na udhëheq në këtë rrugë të vështirë, Aleksandar Vuçiqin. Ashtu siç luftoi për letërnjoftimet serbe në Kosovë, ne do të vazhdojmë të luftojmë dhe do të vazhdojmë të luftojmë dhe të insistojmë në formimin e Asociacionit të komunave serbe, dhe këto janë gjëra nga të cilat nuk heqim dorë”, ka theksuar Bërnabiq.
Pas takimit që ka pasur me udhëheqësit e Listës Serbe dhe me kryetarët e katër komunave veriore, kryeministrja serbe ka vazhduar vizitën në Manastirin e Banjskës në Komunën e Zveçanit. Nga këtu ajo edhe një herë ka folur se sa e ka të rëndësishme shteti i Serbisë sigurinë e serbëve në Kosovë.
“Çdo gjë tjetër mund të diskutohet, por siguria e njerëzve tanë nuk do të vihet në dyshim. Ju lutemi ruani unitetin. Ky unitet është ajo që na jep forcë dhe na mbështet edhe kur është e vështirë dhe kur shumë përpiqen t'ju ndajnë nga jashtë dhe nga brenda, kujdes. Dhe ta mbrojmë atë unitet që e kemi krijuar me shumë mund”, ka thënë Bërnabiq.
Në orët e pasdites Bërnabiq ka qëndruar në një familje serbe të zhvendosur në Leposaviq, së cilës Qeveria e Serbisë ia ka ndërtuar shtëpinë.
Vizita e Bërnabiqit në Kosovë, që është lejuar në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit, është e para për të prej kur është zgjedhur kryeministre e Serbisë, në vitin 2017. Në gusht të këtij viti asaj i është besuar sërish ky post, por për shkak të mospajtimeve brenda partisë fituese të zgjedhjeve të fundit, mandati i saj nuk do të jetë 4-vjeçar. Presidentit Vuçiq ka thënë se pas dy vjetëve do të ketë ndryshime në Qeveri.