Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës ka thënë se vrasja e 21-vjeçares në Ferizaj të premten është dëshmi se për se për gratë s’po ka siguri as në shtëpi, as në rrugë, as në institucione.
E.C., 21 vjeç, u vra sot nga ish-bashkëshorti V.A., 36 vjeç, në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj. I plagosur mbeti vëllai i viktimës 15 vjeç. Dyshohet se çifti kishin mosmarrëveshje për kujdestarinë e fëmijëve.
Sipas Berishës, vrasje e sotme shpërfaq edhe mendësinë patriarkale të burrave.
“Jemi ndier të rrezikuara dhe të shqetësuara. Fakti që ka ndodhur në njërin prej institucioneve kyçe ku gratë kërkojnë ndihmë, tregon se për gratë s’po ka siguri as në shtëpi, as në rrugë, as në institucione. Na shpërfaq mendësinë e burrave të cilët vazhdojnë me mendu që kanë të drejtë dhe munden me vendos për jetën e grave, edhe kur institucionet tentojnë që me mënyra ligjore t’i zgjidhin çështjet, siç është divorci”, ka thënë ajo në “Interaktiv” të KTV-së.
Berisha ka kritikuar edhe Qendrat për Punë Sociale (QPS) nëpër Kosovë për mosofrim të duhur të shërbimeve për viktimat. Por ka theksuar se mungon edhe mbështetja e institucioneve.
“Nëse flasim për QPS-në nga ofrimi i shërbimeve, ka shumë për të folur. Në aspektin human e si qasen, ka shumë punë për t’u bërë nëpër QPS-të në Kosovë. Shumica prej tyre nuk i përcjellin obligimet ligjore për gratë që kalojnë në procese të tilla. Nëse një grua nuk e ka raportuar dhunën, një punëtor cilësor i QPS do ta kuptonte që një grua ka rënë pre e dhunës. Ka nevojë të madhe për siguri nëpër këto institucione. Kemi kërkuar rritje të stafit nëpër QPS-të me buxhet të vitit 2024, por kjo na është refuzuar. Kur ka më shumë punëtorë, edhe siguria mund të jetë më e madhe”, ka deklaruar ajo.
Berisha ka thënë se topi i mbetet të gjitha institucioneve, “qofshin qeveritare apo të pavarura, për të bërë më shumë për sigurinë e grave”.