Beqiri në emisionin “Konfront”, ka thënë se dhënia e hapësirave publike është kthyer në fenomen shqetësues. Sipas tij janë disa, por më pas u ndal.
“Këtë organizim është dashur ta marrë një njeri i afërt i LDK-së Astrit Panxha, por dështoi. Për çudi, edhe organizatori i tashëm është i afërt me LDK-në", ka thënë Beqiri.
Për këtë reagoi organizatori i festivalit, Demiri.
Sipas tij, ai ka kompani tash e 14 vjet dhe se bashkëpunon me të gjitha partitë dhe se ka organizuar ngjarje të tilla edhe në kohën kur Prishtinën e udhëhiqnin parti të tjera.
Zuka: Kërkesat e Sunny Hill ndaj Komunës, absurde - është gati privatizim
Kryetari i gastronomëve të Prishtinës, Veton Zuka ka thënë se kërkesat e festivalit “Sunny Hill” karshi Komunës së Prishtinës i janë dukur absurde.
Sipas tij, kërkesat e “Sunny Hill” janë sikur të ishte privatizim.
“Rasti i ‘Sunny Hill’, çka mu ka dok absurde... unë nuk jam për mos me i dhënë në shfrytëzim hapësirat publike, por jo në ato kërkesat që i ka pas organizatori. Unë vetë punoj privat, por kërkesat më janë dukur absurde. Për mos me thënë, ka qenë privatizim. Por Dua Lipa e 'Sunny Hilli' na kanë vendosur në hartën botërore”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.
Mjeku: S'ka organizim publik me kompani private e me rrethoja, është zaptim
Aktivistja Anita Mjeku ka theksuar se vendosja e rrethojave në sheshin “Xhorxh Bush” ku po shfaqen ndeshjet e “Euro 2024”, është zaptim i pronës publike,
Sipas saj ai nuk është një organizim publik po është organizim publik por privat dhe nga i cili përfitime kanë kompani të caktuara.
“Organizmi është me kompaninë ‘Art Motion’, zotëria tha që ai është organizim publik, ne duhet ta sqarojmë se ai nuk është organizmi publik, është organizim që vjen prej një kompanie private, nuk është kompani private e rëndomtë por është një kompani që mbrapa tyre janë oligarkët që e mbajnë emrin Devollët ... Një hapësirë publike që zaptohet prej privatëve, është zaptim”, është shprehur Mjeku, në emisionin “Konfront” të KTV-së.
Asamblisti Beqiri shpjegon se si u arrestua në sheshin “me pagesë”
Asamblisti Arianit Beqiri ka shpjeguar se si u arrestua gjatë së hënës pasi thotë se nuk pranoi të paguante për hyrje në hapësirën ku po shfaqen ndeshjet e “Euro 2024” në Prishtinë.
I ftuar në emisionin “Konfront” të KTV-së, Beqiri ka thënë se turmë e madhe e njerëzve u mblodhën para hyrjes në vendin ku shfaqen ndeshjet e ku dje luajti Shqipëria me Spanjën. Sipas tij, sigurimi u ka thënë atyre që prioritet për të hyrë brenda kanë ata që kanë rezervuar me pagesë.
“Loja e Kombëtares ka ngjallur interes dhe interesimi ka qenë i madh. Me disa miq shkova me pa lojën në hapësirat këtu te sheshi i ri në Prishtinë, dhe sigurimi thotë se nuk mund të futeni brenda sepse ka shumë njerëz dhe sipas tij prioritet kanë ata që kanë rezervuar hapësirën brenda. Një rezervim i tillë i një tavoline vetëm për këtë lojë çka na është thënë neve ka shkuar deri në 20 euro”, ka thënë Beqiri.
Asamblisti i VV-së ka thënë se i është dukur e padrejtë që shumë qytetarë të mbetnin jashtë hapësirave.