Arbëri

Beqir Ibishi rimerr banesën në Mitrovicë të Veriut, që iu mor 34 vjet më parë

Pasi i ka pranuar çelësat e banesës, Ibishi ka thënë se nuk planifikon që atë ta shesë, por ta rinovojë. “Kam ardhur këtu, e kam vizituar pas luftës, ka qenë e okupuar. Prej vitit ‘90 ka qenë e okupuar. Kështu që sot i mora çelësat përsëri, do të mundohem ta adaptoj, ta rregulloj, nuk e kam ndërmend ta shes”, ka thënë ai

Tridhjetekatër vjet pasi është detyruar që ta braktisë pronën në pjesën veriore të Mitrovicës, Beqir Ibishi është bërë të enjten sërish pronar i banesës së tij.

Me ndihmën e Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, ai e ka rimarrë pronën e cila i është marrë gjatë viteve ’90, të cilën që atëherë e kanë pasur në shfrytëzim disa serbë nga Mitrovica e Veriut. 

E pasi që i ka pranuar çelësat e banesës, Ibishi ka thënë se nuk planifikon që atë ta shesë, por ta rinovojë.

“Kam ardhur këtu, e kam vizituar pas luftës, ka qenë e okupuar. Prej vitit ‘90 ka qenë e okupuar. Kështu që sot i mora çelësat përsëri, do të mundohem ta adaptoj, ta rregulloj, nuk e kam ndërmend ta shes”, ka thënë ai.

Afërdita Beka-Arifi, drejtoreshë e Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP), ka thënë se në më pak se dy muaj, tetë prona që janë marrë gjatë viteve ‘90 u janë kthyer pronarëve të tyre shqiptarë vetëm në Mitrovicë të Veriut. Ajo ka bërë të ditur se ka edhe shumë raste të tjera që janë në procedurë.

“Vetëm në Mitrovicën e Veriut kemi 42 raste të kërkesave për riposedim. Do të thotë që numër më i lartë ka qenë në veri sesa në pjesët e tjera të Kosovës, sepse ka raste edhe në pjesë të tjera”, ka thënë Beka-Arifi.

Qyteti i Mitrovicës para masave represive të viteve ‘90 dhe të luftës në fund të asaj dekade, ishte i banuar me shqiptarë dhe me serbë në të dy anët e Ibrit.