Arbëri

Beleri kthehet në burg pasi u betua si deputet i Parlamentit Evropian

Fredi Beleri

Fredi Beleri që vjen nga minoriteti grek në Shqipëri është rikthyer në burgun e Fierit pas pesë ditëve. Atij iu dha leje për vizitë pesëditore për të marrë pjesë në seancën inauguruese të Parlamentit të ri Evropian në Strasburg, pasi u zgjodh si eurodeputet i partisë në pushtet të Greqisë.

Fredi Beleri, i cili ka dy shtetësi greke dhe shqiptare, po vuan dënimin me dy vjet burgim për blerje votash gjatë zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar në Shqipëri. Ai i mohon akuzat dhe Greqia beson se po persekutohet politikisht.

“Nuk pendohem që u ktheva në burg”, u shpreh 51-vjeçari pas mbërritjes në Aeroportin Ndërkombëtar në Tiranë të shtunën.

Beleri fitoi karrigen në Parlamentin Evropian në zgjedhjet e muajit të kaluar nën siglën e partisë greke “Demokracia e Re”. Ai fitoi 238.801 vota, duke u renditur i katërti në mesin e shtatë eurodeputetëve të zgjedhur nga partia e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.

Anëtarët e Parlamentit Evropian kanë imunitet nga ndjekja penale brenda 27 shteteve anëtare të BE-së edhe për akuzat që lidhen me aktet e kryera para zgjedhjes së tyre në PE. Por Shqipëria nuk është ende anëtare e BE-së.

Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale më 14 maj 2023 në Himarë, qytet bregdetar në Shqipëri me një minoritet të madh grek. Ai akuzohej se kishte ofruar rreth 360 euro për të blerë tetë vota.

Në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, Beleri fitoi me avantazh prej 19 votash kundrejt kandidatit të Partisë Socialiste. Por nuk e mori kurrë detyrën e kryebashkiakut pasi ishte në paraburgim në pritje të dënimit që u mor në mars të këtij viti. U dënua me dy vjet burgim, ndërsa autoritetet shqiptare i hoqën Belerit postin e kryebashkiakut të Himarës, ku zgjedhjet do të përsëriten më 4 gusht.