Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka deklaruar se kandidati për kryeministër i kësaj partie, Bedri Hamza, do të jetë kryeministër i Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Ai ka deklaruar të enjten në “Konfront” se kryeministri aktual, Albin Kurti, i takon të kaluarës, derisa shtoi se PDK-ja është vizioni i qytetarëve.
“Albin Kurti i takon të së kaluarës. Duhet të flasim për të ardhmen... Albin Kurti është i mposhtur nga vetja e tij. Do ta shkatërrojë veten. PDK-ja e Bedri Hamza me këtë vizion që ka do të dalë parti e parë. Numrat s’janë të rëndësishme. Bedri Hamza do të jetë kryeministër”, ka thënë ai.
Sipas Behramit, Kurti është kryeministri më arrogant ndonjëherë.
“Albini është arrogant dhe kjo po më pëlqen. Arrogant me numra, në qasje, ndaj mediave e opozitës dhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Kjo arrogancë do ta përmbysë pushtetin. Ky është pushteti më arrogant që ka pasur ndonjëherë Kosova. Albin Kurti jeton në një botë virtuale e paralele që s'është botë e jona. Ai është i shkëputur nga realiteti, nga familja e vet dhe nga qytetarët e vet”, ka theksuar ai.
Behrami u shpreh se Kurti ka synime të jetë president i Kosovës, e jo kryeministër.
Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka thënë se kryeministri Albin Kurti me narracionin e tij e ushqen luftën civile.
Sipas Behramit, Kurti nuk e ka problem luftën civile kur bëhet fjalë të fitojë vota.
Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Behrami ka thënë se një gjë e tillë do të ndodhte lehtësisht sikur partitë opozitare ta kishin narracionin e njëjtë sikurse Kurti.
“Mendoj se opozita e ka ndjekur rrugën e duhur për Kosovën. Kemi një kryeministër, i cili me narracionin e tij në fakt e ushqen luftën civile. Paramendojeni sikur PDK-ja dhe AAK-ja që kanë në mesin e tyre edhe njerëz të fuqishëm që janë dëshmuar në luftë, paramendojeni kur ata ta kishin të njëjtin narracion sikur Albin Kurti. Paramendojeni sikur këto dy parti, por edhe LDK-ja ta kishin narracionin e njëjtë si Albin Kurti, t’i shpallnin të gjithë përkrahësit e Albin Kurtit tradhtarë, të gjithë të paguar nga Vuçiqi, të gjithë të paguar nga Serbia. Kështu krijohen parakushte për luftë civile. Ne e dimë që Albin Kurti nuk e ka problem edhe luftën civile. Për të fituar vota ai është në gjendje ta bëjë edhe atë punë. Sikur PDK-ja, AAK-ja e LDK-ja të thërrisnin njerëz nëpër protesta dhe ta thellonin përdorimin e dhunës politike ndaj një kryeministri që ka vetëm retorikë. Ai e ka aparatin shtetëror në dorë, por nuk ka asgjë tjetër, Kosova do të ishte në një kaos total”, ka thënë ai.
Nushi: Partitë si Vetëvendosje, me shumë pushtet, nuk mund të mbijetojnë pa “armiq”
Nol Nushi nga Partia Socialdemokrate ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka mundur të mbijetonte në pushtet për katër vjet pa krijuar “armiq”.
Sipas tij, në këtë rrugë e ka ndihmuar edhe opozita joaktive në rezistencë.
“Partitë politike si Vetëvendosje, tashmë edhe me pushtet shumë të madh, s’mund të mbijetojnë pa pasur armiq të vazhdueshëm. Gjatë këtij mandati zakonisht kemi parë armiq jashtë partisë, brenda partisë, brenda parlamentit, jashtë parlamentit brenda Kosovës, jashtë Kosovës. Gjithmonë është nevoja e armikut që t’i legjitimon politikat e brendshme. Polarizimi ka qenë shumë i madh gjatë gjithë mandatit. E këtu ia shoh për të madhe opozitës që është kyçur vonë në fushatë në kundërshtim e rezistencë”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së të enjten.
Sipas tij, opozita ka pritur që ta shohin qytetarët se “sa i dëmshëm është Kurti”.
Megjithatë, sipas vlerësimeve të Nushit, “qeveri të tilla s’bien vetë”.
“Duhet forcë, rezistencë e organizuar që i rrëzon sepse duhet t’i zëvendësojë diku. Nuk e shohin vetë qytetarët se ky qenka i keq dhe ja po e votojmë dikë tjetër”, ka deklaruar më tej ai.
Berisha: Partia në pushtet para se të kërkojë votën duhet të japë llogari
Dajana Berisha, aktiviste e të drejtave civile ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje duhet të japë llogari para qytetarëve për punët gjatë qeverisjes katërvjeçare, para se të kërkojë votën për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ajo ka thënë të enjten në “Konfront” të KTV-së se me këtë qeverisje Kosova ka pësuar rrëshqitje të madhe me partnerët ndërkombëtarë.
“Së pari, Qeveria, partia në pushtet, para se të kërkojë votën e qytetarëve, duhet të japë llogari. Të mësoj kulturën e llogaridhënies, ka qenë për katër vjet në pushtet”, ka thënë Berisha.
Sipas Berishës, raportet janë cenuar dhe “vlen shumë të rimendohet dhe të kthehemi te analzia se çfarë është më e rëndësishme e prioritet për Kosovën”.
Mulaku: Kauza jonë është ruajtja e familjes, kemi ofertë të mirë
Petrit Mulaku nga Lista për Familjen ka thënë se kauza e këtij koalicioni është ruajtja e familjes.
Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Mulaku ka thënë se qëllimi i kësaj liste është që të ruhet familja që ka strukturë, organizim dhe hierarki.
“Koalicioni për Familjen është një koalicion, një bashkim i natyrshëm i katër grupacioneve që kanë orientim konservator dhe është krijuar pak a shumë që të jetë një lloj kundërpeshe e agjendave temash të ulëta liberale, të cilat kohëve të fundit janë shumë prezentë edhe në Kosovë, edhe në rajon e më gjerë. Kauza jonë është ruajtja e familjes, jemi për një familje që ka strukturë, organizim dhe hierarki. Përpos kauzës, kemi një program të mirë për qytetarët edhe për sferat e tjera, si në aspektin ekonomik, të shëndetësisë e të arsimit”, është shprehur ai.