Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, i është ndarë titulli “Qytetar Nderi” nga Komuna e Deçanit të dielën.
Pas pranimit të këtij çmimi, Begaj e ka falënderuar komunën për këtë çmim, duke shtuar se vendi i Kosovës dhe i Shqipërisë bashkë është në Evropë.
“Mbresat dhe emocionet e kësaj dite janë të jashtëzakonshme. Shumë faleminderit për mikpritjen. Kam ardhur te Bjeshkët e Nemuna, vendin e bekuar nga Zoti. Jam në një trevë ku kam gjetur burra e trima patriotë, njerëz të besës e të fjalës. Fati na ka dërguar në rrugë të ndryshme, por përcaktimi tij është i njëjtë, të gjithë bashkë do të jemi në Evropë, me një Kosovë të lirë e të pavarur. Për këtë Deçani ka shkrepur pushkët e para të UÇK-së, në këtë 25 vjetor të çlirimit kujtojmë të gjithë dëshmorët dhe të rënët me respekt e krenari. Nga sot jam shumë i nderuar që të jem ‘Qytetar Nderi’ i kësaj komune”, ka thënë ai.
Në këtë seancë solemne të pranishëm ishin edhe deputetë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, si Ramush Haradinaj, Besnik Tahiri, Time Kadrijaj e Pal Lekaj.
Begaj bëri homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, të dielën ka qëndruar për vizitë në Kosovë ku ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan. Komuna e Deçanit ka nderuar presidentin Begaj me titullin "Qytetar nderi i Deçanit".
Begaj vlerësoi lartë gjithë sakrificën dhe gjakun e derdhur të dëshmorëve për lirinë në Kosovë. Ai shtoi se liria duhet të mbrohet me çdo kusht.
“Është kënaqësi të jem këtu në Deçan, në këtë vend të shenjt për të vazhduar festimet tona për 25-vjeotorin e Çlirimit të Kosovës. Jemi këtu për të vlerësuar gjithë sakrificën, gjithë gjakun e derdhur për të arritur në këtë ditë të lirisë që është e jashtëzakonshme për ne dhe për shqiptarët. Prandaj, duhet ta mbrojmë me çdo kusht”, theksoi ai.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, duke iu uruar mirëseardhje presidentit Begaj, ka theksuar se në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan qëndrojnë heronj, të cilat kontribuuan për çlirimin e vendit.
“Në ditët më të bukura tona, presidenti i Shqipërisë me zonjën e parë, Shkëlqesia e tij, gjeneral Bajram Begaj ka vizituar Gllogjanin, Deçanin edhe një herë, pra Kosovën. Jam i nderuar të qëndroj para jush president Begaj në këtë vend këtu ku qëndrojnë e pushojnë luftëtarë të zot, shqiptarë të zot, heronj të mirë. Jam i bindur që ata janë të gëzuar që ne sot jemi bashkë”, u shpreh Haradinaj. /KSP