Arbëri

Begaj i kërkon Greqisë ta njohë Kosovën

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i ka kërkuar kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, që shteti i tij ta njohë Kosovën.

Në takimin që e ka zhvilluar me Mitsotakisin, i cili ka marr pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, që është mbajtur të martën në Tiranë, Begaj ka theksuar se njohja e pavarësisë së Kosovës do t’i shërbente forcimit të sigurisë dhe paqes në rajon.

“Kosova është një realitet politik dhe njohja e pavarësisë së saj do t’i shërbente forcimit të mëtejshëm të paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka theksuar Begaj.

Ai ka vlerësuar marrëdhëniet dhe partneritetin strategjik midis dy vendeve dhe ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që Greqia dhe populli grek i kanë dhënë shqiptarëve në momentet e vështira pas ndryshimeve demokratike.

Duke iu referuar fqinjësisë së mirë dhe vlerave e sfidave të përbashkëta, Begaj ka thënë se prania e minoritetit grek në Shqipëri dhe të komunitetit shqiptar në Greqi, është vlerë e shtuar për këto marrëdhënie.

“Ato përbëjnë një urë të fortë, të vërtetë e të sinqertë miqësie e bashkëpunimi, për të cilën ne jemi të gatshëm ta forcojmë e promovojmë më tej”, ka theksuar Begaj.