Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka qëndruar për vizitë zyrtare në Gjilan, ku është shpallur “Qytetar nderi”. Nga kjo komunë, ai e ka përçuar mesazhin se e ardhmja e përbashkët e Kosovës dhe e Shqipërisë duhet të jetë në Bashkimin Evropian. E kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, është shprehur se mbështetja e Shqipërisë është jetike për përmbushjen e qëllimeve të Kosovës
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE) duhet të jetë e ardhmja e përbashkët e Kosovës dhe e Shqipërisë, ka thënë presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë vizitës që e ka zhvilluar të enjten në Gjilan.
Këtë mesazh ai e ka përçuar në adresimin e mbajtur në ceremoninë e organizuar nga Komuna e Gjilanit e në të cilën Begajt i është ndarë titulli “Qytetar nderi”, për kontributin e dhënë në shpalljen e pavarësisë dhe për ndihmën ofruar Kosovës gjatë luftës më 1999.
Begaj ka theksuar me këtë rast se Shqipëria do të qëndrojë afër Kosovës edhe në kohë paqeje.
“Ne duam të jemi pjesë e Evropës, sepse i përkasim asaj me vlera e histori. Jemi një popull që beson te demokracia, liria, drejtësia dhe te vlerat euroatlantike të një Shqipërie të zhvilluar. Shqipëria dhe Kosova duhet ta shohin një të ardhme në një rrugëtim të përbashkët drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.
E kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, tek e ka falënderuar presidentin Begaj dhe e ka dekoruar me titullin “Qytetar nderi”, ka thënë se ndihma e Shqipërisë është jetike për Kosovën në proceset integruese.
“Në këtë kohë, kur Kosova po konsolidon shpejtësinë e saj, po synon të bëhet pjesë e familjes evropiane, roli i Shqipërisë, si mbështetëse i fortë mbetet jetik”, ka thënë Hyseni.
Në Kuvendin Komunal të Gjilanit kanë shprehur falënderim për Begajn edhe përfaqësues të partive politike në Asamble.
“Ne kemi parë një udhëheqës që e kupton historinë tonë si udhërrëfyes për të ardhmen, president që Kosovën e ndien si pjesë e pandashme të shpirtit shqiptare”, ka thënë Gentrit Murseli, asamblist i Lidhjes Demokratike (LDK).
E asamblisti nga radhët e Partisë Demokratike (PDK), Bujar Nevzati, ka theksuar se duhen bërë hapa të tjerë drejt bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë, teksa ka shtuar se “e tashmja jonë na ka mundësuar të jemi të bashkuar duke kujtuar gjithmonë ata që u sakrifikuan për bashkim”.
“Sot, duke shpallur presidentin Begaj si ‘Qytetar nderi’, ne afirmojmë edhe një herë lidhjen tonë të pathyeshme me shtetin e Shqipërisë”, ka thënë Nazim Gagica, asamblist i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Në kuadër të vizitës, presidenti Begaj do të qëndrojë në Kosovë dy ditë. Ai do të zhvillojë takime edhe me përfaqësuesit më të lartë shtetërorë.