Arbëri

Begaj dhe Mattarella e vlerësojnë të rëndësishme prezencën e KFOR-it në Kosovë

Presidenti Bajram Begaj, ka pritur të etjen homologun italian, Sergio Mattarella. Kreu i shtetit italian ndodhet për një vizitë zyrtare 2 ditore në Shqipëri. Në përfundim të takimit mes dy delegacioneve, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka mbajtur një konferencë për shtyp me presidentin italian, Sergi Mattarella.

Begaj u shpreh se kanë diskutuar për të rritur bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes ndërsa kërkoi që vendet e BE-së të mbështesin Ballkani drejt integrimit në union, që të vijojë i palëkundur në rrugëtimin Euro-Atlantik pa lënë hapësira influence, që mund të shfrytëzohen nga aktorë të tjerë larg rajonit.

Begaj në takim me homologun Italian e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme për stabilitetin e rajonit prezencën e KFOR-it në Kosovë, si një prezencë që reflekton paqe dhe stabilitet.

“E falënderova presidentin Mattarella për mbështetjen që shteti Italian i ka dhënë Kosovës dhe theksova rëndësinë e vazhdimësisë së kësaj mbështetjeje, veçanërisht për çështjet e sigurisë, liberalizimit të vizave, atë të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe vijimin e dialogut me Serbinë. Shqipëria mbështet dialogun Serbi-Kosovë dhe beson se formula e zgjidhjes e shprehur nga Biden dhe kancelari Scholz, si ‘marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve’, që rezulton në njohje të ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE është zgjidhja e duhur për të garantuar paqe të qëndrueshme në Ballkan ”, tha Begaj.

Presidenti i Shqipërisë i ka shprehur mirënjohjen përmes presidentit Mattarella, popullit italian, që në një botë që kërcënohet nga racizmi dhe ksenofobia mbetet shembull jo vetëm i integrimit dhe solidaritetit vëllazëror, por afirmimit, ruajtjes dhe mbrojtjes së vlerave kulturore e shpirtërore të një bashkësie tjetër, duke sjellë si shembull komunitetin arbëresh.

“Komuniteti i arbëreshëve është një shembull i rrallë, që lartëson vlerat më të mira shpirtërore të dy popujve tanë. Komuniteti Arbëresh në Itali, si dhe ai shqiptar i valëve të mëvonshme të emigracionit, janë ura të qëndrueshme miqësie dhe vëllazërie, të cilët jo vetëm kanë arritur të integrohen, por janë mishërimi më i mirë i afërsisë së natyrshme kulturore e njerëzore mes dy vendeve dhe popujve tanë”, deklaroi Begaj.

Presidenti i Shqipërisë tha në vijim se kishte siguruar presidentin Italian për angazhimin e plotë të Shqipërisë në realizimin e nismës së Italisë, për të paraqitur në UNESCO kandidaturën, për përfshirjen si Trashëgimi Kulturore Universale të pasurisë kulturore të Arbëreshëve në kremtimet e “Motit të Madh”, gjuhën, veshjen dhe ritet festive.

“Kjo nismë promovon urat e miqësisë dhe vlerat e përbashkëta, si pjesë të pandashme të trashëgimisë kulturore, shpirtërore dhe historike shqiptare, italiane dhe evropiane të dy popujve e vendeve tona. Në një botë gjithnjë e më të pasigurt miqësia mes dy popujve tanë bëhet edhe më e vyer. Le të kemi urtësinë të punojmë çdo ditë për ta ruajtur dhe forcuar më shumë këtë pasuri te trashëguar në shekuj, si detyrim për një të ardhme më të mirë për popujt tanë miq!”, përfundoi fjalën e tij presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj.

Presidenti i Italisë, Sergio Matarella gjatë konferencës së përbashkët me homologun Bajram Begaj, ka deklaruar se Shqipëria e ka vendin e saj në Bashkimin Evropian.

Sipas Matarellës Europa nuk është e plotë nëse nuk do integrojë Ballkanin Perëndimor në Unionin Europian. Sipas tij Shqipëria ka një rol kyç në procesin e integrimit.

“Vendi i Shqipërisë është në Bashkimin Europian! Europa nuk është e plotë nëse nuk integron Ballkanin Perëndimor. Shqipëria ka një rol kyç në këtë proces integrimi”, tha Metarella.

Duke folur për bashkëpunimin me Shqipërinë, Presidenti Italian tha se sipërmarrja italiane është e gatshme të shtojë bashkëpunimin për të rritur prezencën e saj në vendin tonë. “Shqipëria dhe Italia janë partnerë strategjik të rëndësishëm, ka shumë kompani italiane që operojnë në Shqipëri. Sektorët më modern kërkojnë bashkëpunim dhe sipërmarrësit tanë janë gati të bashkëpunojnë sipas pikave që do paraqesë qeveria shqiptare. Përsa i përket Italisë, Shqipëria është një partner i rëndësishëm në Ballkan”, tha Matarella.