“Ne jemi në dijeni për situatën dhe po e përcjellim për së afërmi. Marrëveshja për lirinë e lëvizjes, e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, cakton parametrat e qartë rreth hyrjes dhe daljes së qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata momentale paraqet shkelje të kësaj marrëveshjeje”, ka deklaruar Stano, teksa e ka ftuar Serbinë “që të përmbahet nga veprimet e tilla unilaterale dhe të pakoordinuara dhe që menjëherë t’i kthehet respektimit të Marrëveshjes”
Serbia është duke e shkelur Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, kanë konstatuar të mërkurën nga Bashkimi Evropian, pas ndalimit nga autoritetet në Beogradin zyrtar të autobusëve me udhëtarë kosovarë nëpër pikëkalime të ndryshme kufitare të këtij shteti.
Këtë qëndrim e ka shprehur zëdhënës i BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Peter Stano, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Bruksel rreth rastit që ka nxitur reagime të ashpra nga Kosova.
“Ne jemi në dijeni për situatën dhe po e përcjellim për së afërmi. Marrëveshja për lirinë e lëvizjes, e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, cakton parametrat e qartë rreth hyrjes dhe daljes së qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata momentale paraqet shkelje të kësaj marrëveshjeje”, ka deklaruar Stano.
Ai ka shtuar se BE-ja “e fton Serbinë që të përmbahet nga veprimet e tilla unilaterale dhe të pakoordinuara dhe që menjëherë t’i kthehet respektimit të Marrëveshjes”.
Autoritetet serbe të mërkurën kanë ndaluar autobusë me udhëtarë nga Kosova, në kufijtë me Kroacinë dhe Hungarinë, si “shenjë hakmarrjeje ndaj mbështetjes nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë”, kanë thënë autoritetet në Kosovë, të cilat u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin “me çdo kusht” kalimin nëpër Serbi, shtet në të cilin që nga mesnata kosovarëve u është vështirësuar qarkullimi.
Por Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë i ka mohuar akuzat se ka ndaluar autobusë me udhëtarë kosovarë në kufijtë e saj me Kroacinë dhe Hungarinë. Ajo ka shtuar se janë “duke u forcuar kontrollet kufitare”.
Stano ka përsëritur thirrjen për të dyja palët që të respektojnë obligimet nga dialogu.
“Presim nga palët që në tërësi të zbatojnë detyrimet e tyre nga dialogu, të cilat janë obliguese dhe të vlefshme. Ne, po ashtu, presim nga palët që të sigurojnë një ambient të përshtatshëm për dialog, në mënyrë që të shmanget çfarëdo veprimi, i cili mund të rrezikojë sigurinë dhe stabilitetin“, është thënë në reagimin e BE-së.
Nga burimet diplomatike në BE, KOHA ka mësuar se të mërkurën ka pasur presione ndaj Serbisë nga BE-ja dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për shkak të ndaljes së udhëtarëve nga Kosova në pikëkalimet kufitare të Serbisë. Në BE dhe në qarqet e tjera ndërkombëtare ka shqetësime se rastet e tilla mund të nxisin tensione të reja mes palëve në një periudhë edhe ashtu të ndjeshme.
Edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka reaguar për këtë rast, duke e porositur Serbinë që t’i lirojë udhëtarët dhe të mos turpërohet më me veprime të tilla.
“Serbia duhet të ndalë së turpëruari veten dhe menjëherë t’i lirojë mbajtësit e pasaportave dhe letërnjoftimeve të Kosovës që të kalojnë kufirin në mes të Serbisë dhe Kroacisë në Batrovc. Liria e lëvizjes duhet të sigurohet për të gjithë, pa diskriminim në baza kombësie”, ka shkruar ajo në Twitter.
Ky incident dhe këto tensione kanë ndodhur në kohën kur pritet që Kosova dhe Serbia të dakordohen për zgjidhjen e disa problemeve aktuale. Një prej tyre është edhe përdorimi i valutës për pagesa, për të cilin do të diskutohet të enjten në një takim të ri në mes të kryenegociatorëve, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Çështja e lëvizjes është e rregulluar me Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes që Kosova dhe Serbia arritën më 2011 në Bruksel. Në këtë marrëveshje thuhet se “qytetarët (me vendbanime të përhershme) të të dyja palëve duhet të kenë mundësi të udhëtojnë lirshëm brenda ose përmes territorit të njëra-tjetrës dhe në pikat kufitare të qarkullojnë vetëm me letërnjoftim”.