Në ditën kur ka skaduar plani i aprovuar nga Banka Qendrore për periudhën transitore për dinarin, BQK-ja ka njoftuar për numrin e bankomatëve dhe institucioneve financiare të hapura në veri. E përderisa këtë javë është paraparë takimi që Bashkimi Evropian e ka quajtur si takimi përfundimtar për dinarin, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, u ka bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës për konstruktivitet.
Plani Transitor i Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin ka skaduar të hënën.
E takimi me kryenegociatorët Besnik Bislimi e Petar Petkoviq është paralajmëruar për të mërkurën në Bruksel lidhur me këtë çështje.
“Përfaqësuesi special për dialogun ka ftuar kryenegociatorët të vazhdojnë diskutimet. Do të takohen të mërkurën në Bruksel, do të vazhdojnë diskutimet për të gjetur zgjidhje të përkohshme të qëndrueshme, për të prekurit nga vendimi i BQK-së. BE-ja pret që të dyja palët të tregojnë fleksibilitet e gatishmëri për të arritur kompromis”, ka thënë Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Ai ka deklaruar se me trajtimin e kësaj teme po humbet vëmendja nga Marrëveshja për Rrugën Drejt Normalizimit dhe aneksit të saj.
“Me secilin takim shpresojmë të jetë i fundit që merremi me këtë çështje. Po zhvendoset vëmendja nga ajo që është e nevojshme, zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit... Shpresojmë palët të sillen në mënyrë evropiane, e të arrijnë marrëveshje kompromisi... Varet nga palët a do të arrijnë një kompromis të pranueshëm”, ka theksuar Stano.
Përderisa ka skaduar plani transitor i Bankës Qendrore, ky institucion nuk ka dhënë sqarime se si do të funksinojnë mekanizmat ndëshkues që ndërlidhen me pagesën me dinarë.
Rregullorja për Operacione me Para të Gatshme nuk parasheh masa ndëshkuese që ushtrohen prej BQK-së, derisa nuk është raportuar për ndonjë zhvillim sa u përket gjobave apo masave administrative lidhur me përdorimin e dinarit.
BQK-ja e ka shtuar si sqarim në pyetjet e shpeshta për Rregulloren, se nuk i ndalohet askujt të mbajë dinarë në xhep, por ndalohen pagesat me dinarë.
Në një komunikatë për media kanë treguar numrin e bankomatëve e të institucioneve financiare të hapura në komunat me shumicë serbe.
“Janë licencuar tetë (8) degë/zyra të institucioneve financiare: Një (1) zyrë bankare/dega në Leposaviq; Një (1) zyrë e kompanisë së sigurimit (jojetë) në Leposaviq; Gjashtë (6) zyra të institucioneve financiare jobankare dhe mikrofinanciare; Një (1) në Leposaviq, një (1) në Zveçan; Dy (2) në Graçanicë; Një (1) në Shtërpcë; Një (1) në Shillovë, Gjilan. Janë vendosur 38 bankomatë/ATM/pajisje të vetëshërbimit financiar. Janë kryer mbi 350 vizita dhe aktivitete promovuese (duke përfshirë Remote Banking). Janë dhënë afro 11 milionë euro kredi”, thuhet në komunikatë.
Në BQK kanë thënë se janë organet e tjera ekzekutive që merren me një gjë të tillë, përfshirë Administratën Tatimore, Doganën e Policinë e Kosovës.
Derisa për Graçanicë, që është ngjitur me Prishtinën, ka pasur raportime se ka dyqane që nuk po pranojnë më pagesa me dinarë, banorë serbë të veriut kanë thënë se po vazhdojnë ta shfrytëzojnë dinarin si mjet pagese.
“Natyrisht jam në dijeni (për vendimin e BQK-së rreth dinarit)… Mundem natyrisht (të blej sot me dinarë) edhe pse ekziston ndalesa për një gjë të tillë, por gjithsesi se ka mundësi. Kjo pjesë llogaritet si veri i Kosovës”, ka deklaruar Aleksandar Nedelkoviq, banor i Mitrovicës së Veriut.
Edhe Bilana Denoviq, ka thënë se po vazhdojnë të paguajnë me dinar.
“Sot vazhdojmë të paguajmë me dinarë akoma, sepse ne opsion tjetër nuk kemi, fatkeqësisht… Jam në dijeni për vendimin (nga BQK-ja), por ne pagat, të ardhurat sociale, pensionet, të gjitha na vijnë nga Serbia në dinarë dhe ne nuk shohim ndonjë zgjidhje si do të vazhdojmë të paguajmë me euro, sepse vërtet jemi në një pozitë të palakmueshme. Më së vështiri është për qytetarët”, është shprehur ajo.
E në Qeveri nuk kanë treguar se çka do të ndodhë tani e tutje që plani i BQK-së ka skaduar.
Kryeministri Albin Kurti në një intervistë për televizionin publik ka thënë se BQK-ja e ka sqaruar tashmë se qëllimi është ligjshmëria, transparenca dhe jo ndëshkimi dhe dënimi.