Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano, ka thënë se veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës mund të kenë ndikim negativ në heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës.
Ai i është referuar mbylljes së nëntë filialeve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës të hënën, që po funksiononin pa licencë.
Stano në konferencë për media të martën ka thënë se veprimet ishin të pakoordinuara dhe të njëanshme dhe ishte shkelje e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
“Në këtë fazë BE-ja e ka thënë qartë se çfarë pret nga administrata e Kurtit, të rishqyrtojë vendimin dhe të adresojë këtë çështje në kuadër të dialogut e të vijë me një propozim që do të marr në konsideratë ndikimet e mundshme negative të vendimit për njerëzit në veri...Fakti që Kosovës i janë vendosur masa nga BE-ja vitin e kaluar është reflektim i hapave që çuan te përshkallëzimi. Ta ne po shohim më tepër hapa të njëanshëm e më tepër hapa të pakoordinuar. Nuk është kjo deeskalim. Kjo çon në përshkallëzim të mëtutjeshëm. E mendoj se kjo duhet të kuptohet qartë nga ata që marrin vendime në Prishtinë”, ka thënë Stano.