Arbëri

BE-ja s’pret takim Kurti-Vuçiq

DIALOGU KOSOVË-SERBI

Nuk pritet që nesër në Bruksel të realizohet takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ani se zyrtarë të BE-së nuk e kanë përjashtuar këtë si mundësi. Megjithëkëtë, është konfirmuar se kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, do të takohen veç e veç me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë, si dhe me përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të jenë të enjten në Bruksel për t’u takuar me liderët e vendeve kryesore të Bashkimit Evropian (BE) dhe me përfaqësuesit e lartë të BE-së për politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, por nuk pritet të ketë takim mes tyre, ndonëse një takim i tillë nuk përjashtohet.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë thënë se varësisht nga diskutimet që do të kenë me liderët e vendeve kryesore të BE-së mund të ndodh që të ketë takim të përbashkët, pra ata thonë se një takim i tillë nuk është planifikuar, por as nuk mund të përjashtohet.

Burime në Bashkimin Evropian kanë thënë se për momentin plani nuk është që të ketë takim të përbashkët, por vetëm takim të tyre të ndarë me liderët e vendeve kryesore të BE-së: Gjermanisë, Francës, Italisë, si dhe përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, e ka konfirmuar një gjë të tillë duke i quajtur takimet e së enjtes si takime individuale në mbështetje të kthimit në dialog dhe se mesazhi është që të dyja palët menjëherë dhe pa kushte t’i kthehen përmbushjes së obligimeve që dalin nga marrëveshjet e dialogut.

Së pari, liderët e të tri shteteve do të kenë takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e më pas në të njëjtin format edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Fjala është për presidentin e Francës, Emanuel Macron, kancelarin gjerman Olaf Scholz, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të Jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Pikërisht të dërguarit e posaçëm dhe këshilltarët e lartë të këtyre personave ishin të shtunën në Kosovë dhe në Serbi, ku edhe kishin dorëzuar planin për të cilin presin që palët të deklarohen.

Sipas burimeve në Bashkimin Evropian, edhe në Samitin që do të nisë nesër në Bruksel do të bëhet fjalë për raportet mes Kosovës dhe Serbisë dhe për situatën në veri të Kosovës.

Pritet që liderëve të 27 vendeve anëtare për këtë t’u raportojë përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Në konkluzat që pritet të miratohen nga Samiti i Bashkimit Evropian, do tu bëhet thirrje palëve që të përmbushin të gjitha obligimet nga marrëveshjet e dialogut pa vonesa dhe pa parakushte.

Po ashtu do të shprehin shqetësim të thellë për situatën e sigurisë në veri të Kosovës dhe do të dënojnë sulmin që ka ndodhur në Banjskë më 24 shtator, kundër Policisë së Kosovës. Do të kërkojnë hetime deri në fund për të sqaruar këto sulme dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë ata që kanë kryer sulme të tilla, ndërsa nga Serbia do të presin që të bashkëpunojë tërësisht në hetime dhe të ndërmarrë hapat e duhur.