Arbëri

BE-ja s’pajtohej që të themelohet një agjenci për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme

Hartimi i koncept dokumentit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme i miratuar nga qeveria së fundmi kishte nisur vitin e kaluar. Atëkohë Zyra e BE-së në Prishtinë kishte kundërshtuar që organ përgjegjës për këtë proces të jetë një agjenci. BE-ja nuk është pajtuar po ashtu që qytetarët të përfshihen në hetimin e pasurisë. Por, zbatimi i këtij mekanizmi në këtë formë vlerësohet në kundërshtim me Kushtetutën dhe i pazbatueshëm nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Mënyrën që Qeveria Kurti ka zgjedhur ta themelojë mekanizmin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme e kishte kundërshtuar Bashkimi Evropian.

Gjatë draftimit të koncept-dokumentit vitin e kaluar, zyra e BE-së në Prishtinë, përmes komenteve të dërguara, nuk është pajtuar që me këtë çështje të merret një agjenci e pavarur, por organet gjyqësore.

“Ka disa arsye për këtë: Që procedura të zbatohet në mënyrë të pavarur, të jetë objektive dhe e drejtë, duhet të sigurohemi që organet gjyqësore janë ato që kontrollojnë procesin dhe prokurori drejtpërdrejt bie në këtë kategori; Prokurorët tashmë kanë një rol të spikatur në fushën e konfiskimit dhe ata tashmë kanë (ose pritet të kenë) të gjithë përvojën e nevojshme për të aplikuar një skemë tjetër konfiskimi. Prokurorët, si palë ndërgjyqësore me përvojë, janë në një pozicion më mirë për të argumentuar çështjet e tyre të konfiskimit para gjykatave në krahasim me ndonjë agjenci tjetër shtetërore (p.sh. AKK ose të tjerët)”, thuhej në komentet e BE-së.

Për BE-në ishte e papranueshme që në projektligj të përfshihen edhe qytetarët, pasi vlerëson se shumë prej tyre do të mund të dëmtoheshin.

“Bërja e rikuperimi civil universal për të gjithë, mund të shkaktojë dëm të panevojshëm për shumë qytetarë të Kosovës, origjina e pasurive të të cilëve shpesh mund të jetë e vështirë të provohet, edhe nëse ato nuk janë të paligjshme (p.sh. dërgesat nga jashtë, të ardhurat nga shitja e produkteve, shumë transaksione joformale, etj.)”.

Zyra e BE-së nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS nëse vazhdon të mbajë qëndrim të njëjtë për këtë çështje. Ndërkaq, tek pas publikimit të artikullit në Lajmet Qendrore të KTV-së, nga BE-ja kanë thënë se janë siguruar nga Qeveria e Kosovës që BE-ja dhe akterët tjerë ndërkombëtarë do të konsultohen në procesin e përgatitjes së draftligjit.

“Opsionet e parashikuara në koncept-dokument do të duhej të respektojnë parimet e Kushtetutës së Kosovës dhe të drejtave fundamentale të individëve. Më e rëndësishmja, konfiskimi civil nuk duhet të zëvendësojë apo dëmtojë zbatimin e kornizës ekzistuese ligjore për konfiskimin kriminal. Sa i përket çështjes së fundit, korniza ligjore në fuqi nga viti 2019 është në linjë me standardet ndërkombëtare dhe evropiane. Ne presim që autoritetet të fokusohen në implementimin e tij të plotë, duke rritur sasinë e aseteve të konfiskuara përmes procedurës penale”, thuhet në përgjigje.

Zbatimin e konfiskimit të kësaj natyre përmes një agjencie e vlerëson të pazbatueshëm Instituti i Kosovës për Drejtësi, pasi e quan atë kundërkushtetues.

Ajo çfarë duhet të bëjnë institucionet, sipas Gëzim Shalës, nga ky institut është forcimi i mekanizmave aktualë për konfiskim, i atij përmes Kodit të Procedurës Penale dhe Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara, të cilat thotë se kanë dështuar të zbatohen.

“Përpos që nuk do të ketë efekt, mënyrë se si po diskutohet çështja e agjencisë është edhe kundërkushtetuese dhe nuk mund të aplikohet në sistemin juridik dhe po ashtu përderisa nuk zhvillohet një sistem i vettingut në Kosovë mënyra e funksionimit të sistemit kosovar të drejtësisë nuk garanton zbatim të drejt të këtij ligji në praktikë”, ka deklaruar Shala.

Të ndjeshëm, Shala e vlerëson edhe hetimin eventual të pasurisë së qytetarëve.

“Sa u përket qytetarëve është jashtëzakonisht problematike se si do të vijnë deri te një konstatim se për një qytetar ka dyshim të bazuar se pasuria e tij nuk është e justifikueshme dhe për këtë arsye kjo mund të përdoret vetëm për hakmarrje politike dhe mundësitë për keqpërdorim me këtë ligj në këtë mënyrë janë shumë të mëdha”, ka shtuar ai.

Ministria e Drejtësisë ka lënë të hapur mundësinë që hetimi i pasurisë të vlejë për të gjithë qytetarët.

BE-ja ka rekomanduar që procesi të përfshijë dy kategori të pasurive: Pasuritë që nuk janë deklaruar fare dhe pasuritë që janë deklaruar, por nuk përputhen me të ardhurat e ligjshme.