Arbëri

BE-ja s’ka nevojë ta sqarojë qëndrimin e Serbisë – ajo nuk pranon ta zbatojë marrëveshjen

Bashkimi Evropian e as i dërguari i posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak, nuk kanë nevojë të sqarojnë qëndrimin e Serbisë. Serbia e ka sqaruar vetë. Serbia e ka bërë të qartë se nuk e ka ndërmend e as nuk merr përsipër obligimin për të zbatuar pikat kryesore të asaj që BE-ja vazhdon ta quajë “marrëveshje” dhe për të cilën BE-ja pretendon se palët janë pajtuar në Bruksel para një viti e më pas edhe për aneksin e implementimit në Ohër.

Pos deklaratave të shumta të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se ai pos që nuk ka nënshkruar, nuk ka pranuar e as nuk është pajtuar me asnjë marrëveshje që do ta obligonte Serbinë as tash e as në të ardhmen, Serbia edhe me shkrim ia ka komunikuar BE-së qartë qëndrimin e saj. E ka bërë këtë kryeministrja Ana Bërnabiq në një letër dërguar në dhjetor Shërbimit të veprimit të jashtëm të BE-së, kur në Bruksel zhvillohej Samiti BE-Ballkani Perëndimor. Aty ajo kishte shprehur rezervat për Deklaratën e përbashkët të atij samiti dhe kishte nënvizuar çështjet të cilat Serbia nuk i pranon.

Të martën mbrëma, në një intervistë në “Interaktiv” të KTV-së, ambasadori i BE-së Sonyong po ashtu ka thënë se Lajçaku mund të sqarojë gjërat rreth kësaj.

“Mendoj se është ligjërisht e obligueshme për të dyja palët. Ky komunikim nga kryeministrja Bërnabiq është vërtet problem dhe me sa e kuptoj kolegu im Miroslav Lajçak, është marrë me këtë çështje dhe shpresoj se mund të qartësojmë gjërat” ka thënë ai.

Për një kohë diplomatët në BE po bëjnë përpjekje të krijojnë përshtypjen se “Bërnabiqi ka dërguar një letër tjetër dhe ka sqaruar më mirë qëndrimin” duke pretenduar se në letrën e dytë “është sqaruar qëndrimi më mirë”.

Por përpos përmirësimit të një gabimi të vogël gramatikor dhe heqjes së fjalisë se marrëveshja “nuk mund të konsiderohet ligjërisht obliguese”, edhe letra e dytë, sikurse dhe e para, përmban qartë porositë se Serbia nuk e ka ndërmend të zbatojë pikat që për Kosovën janë kryesore nga Marrëveshja.

“Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksi i implementimit, siç është përmendur në këtë deklaratë, konsiderohet i pranueshëm vetëm në kontekstin se nuk nënkupton de facto apo de jure njohjen e Kosovës. Republika e Serbisë dëshiron të sqarojë se kjo përshtatje nuk përfshin pranimin e anëtarësimit të Kosovës në OKB, sistemin e organizatave dhe agjencive të OKB-së e as të ashtuquajturin integritetin territorial të Kosovës. Për më tepër, përshtatja me këtë deklaratë nuk paragjykon e as nuk shkel faktin se Kosova mbetet pjesë integrale e territorit të Republikës së Serbisë nën administrim ndërkombëtar në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka shkruar në letrën e dytë Bërnabiqi. BE-ja nuk e ka sqaruar asnjëherë qëndrimin e vet rreth kësaj letre.

BE-ja do të duhej ta sqaronte pozitën e vet e jo atë të Serbisë, sepse qëndrimi i Serbisë në këtë pikë është shumë më i qartë sesa ai i BE-së.

{gallery}