Arbëri

Finlandezi Haavisto e danezi Sorensen përmenden si pasues të Lajçakut në dialog

Të premten ka skaduar afati për paraqitjen e kandidatëve nga të cilët përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, do të zgjedhë se kë do ta emërojë si përfaqësues të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi. Ndër emrat që më së shumti vazhdojnë të përmenden janë ish-ministri i Finlandës, Pekka Havisto, dhe diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen. Që të dy kanë përvojë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor

Për më pak se një muaj, përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, do t’i skadojë mandati i cili është vazhduar disa herë. Ndërkohë gjatë këtij muaji pritet që të caktohet pasardhësi i tij në atë post.

Dje, e premte, ka skaduar afati për paraqitjen e kandidatëve nga të cilët përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, do të zgjedhë se kë do ta emërojë në atë post.

Emërimin e përfaqësuesve të posaçëm e bën përfaqësuesja e lartë, por këtë duhet ta konfirmojnë edhe vendet anëtare në Këshillin e BE-së. Kjo bën që presioni kohor të jetë i madh pasi për të kryer gjithë këtë procedurë duhet një kohë.

Deri më tash nuk kanë rrjedhur nga burimet e BE-së informata lidhur me kandidatët e mundshëm, sepse procedura kryhet me diskrecion, por disa burime diplomatike kanë lënë të kuptohet se për këtë post kërkohet diplomat me përvojë i cili do të mund të vazhdonte punën pa pasur nevojë për t’u njohur me procesin e dialogut që po zgjat për 13 vjet me jo aq shumë sukses.

Ndër emrat që më së shumti vazhdojnë të përmenden janë ish-ministri i Finlandës, Pekka Havisto, dhe diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen. Që të dy kanë përvojë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor.

Emrat e Havistos dhe Soprensenit, si kandidatë potencialë, ishin përmendur edhe gjatë verës së vitit 2023 kur Lajçak ishte emëruar të jetë ambasador i BE-së për Zvicër dhe pritej që në atë post të shkojë që nga shtatori i vitit 2023. Por Lajçak kishte hequr dorë nga posti i ambasadorit të BE-së në Bernë për, siç thuhej “shkaqe personale”. Burimet diplomaitke në BE thoshin se ai post Lajçakut i dukej i nivelit tepër të ulët për të. Ndërkohë ish-përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ia kishte vazhduar mandatin Lajçakut deri në fund të janarit të këtij viti. Arsyetimi i zgjatjes së re të mandatit ishte se emërimi i pasardhësit të Lajçakut do t’i lihej përfaqësueses së re të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas dhe se në ndërkohë nuk duhet lënë ndonjë vakum në këtë postë.

Edhe emri i ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Sllovenisë, Borut Pahor, ishte përmendur shpesh si kandidat potencial për postin të cilin deri tash e ka mbajtur Lajçak. Por vetë Pahor, i cili e kishte konfirmuar më herët se ishte i interesuar për atë post, dhe se e kishte mbështetjen e qeverisë sllovene, të premten ka njoftuar se nuk ka paraqitur kandidaturën e tij dhe nuk është më i interesuar për atë post.