Bashkimi Evropian ka theksuar nevojën urgjente për hapa drejt zbardhjes së fatit të personave të zhdukur gjatë luftës, teksa ka mirëpritur që Kosova e Serbia të martën “riafirmuan se çështja e personave të zhdukur është shqetësim humanitar”.
Shërbimi i Jashtëm i BE-së përmes një deklarate që ka lëshuar ka vlerësuar qasjen, siç e ka quajtur ajo, konstruktive të palëve në diskutimet e sotme.
“Progresi i sotëm është një hap i rëndësishëm përpara normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimit të Marrëveshjes së 2023-s për rrugën drejt normalizimit”, thuhet në njoftim.
BE-ja u ka kërkuar tutje palëve që të fillojnë zbatimin e marrëveshjes në tërësi.
Ka thënë tutje se komisioni i përbashkët që do të formohet do të jetë përgjegjës për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, e në veçanti se do të monitorojë bashkëpunimin e Kosovës dhe Serbisë në disa çështje.
“Për identifikimin e vendeve të varrimit dhe gërmimet pasuese; Për qasjen në informacione të sakta dhe besueshme, duke përfshirë të gjithë dokumentacionin përkatës vendos dhe ndërkombëtar, shfrytëzimin e të dhënave satelitore dhe teknologjinë e avancuar për zbulimin e varrezave masive; Dhe respektimin e të drejtave të familjeve të personave të zhdukur”, janë çështjet që BE-ja ka renditur si pika referuese ku komisioni do ta mbikëqyrë bashkëpunimin mes Kosovës dhe Serbisë.