Qeveria është bërë fajtore nga opozita për heqjen e vizave për serbët e Kosovës që posedojnë pasaporta të lëshuara nga autoritetet e Serbisë. Krahas kësaj, njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare e opozitarë e kanë konsideruar të gabuar vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian. Vendimi i këtij institucioni nuk do të ndryshojë në qasjen e qeverisë së Kosovës, karshi këtyre dokumenteve, e që i vlerëson ilegale
Liberalizimi i vizave për serbët që posedojnë pasaporta ilegale, nuk do të ndryshojë qëndrimin e Kosovës karshi tyre. Institucionet e Kosovës, pasaportat e lëshuara nga Serbia i konsiderojnë shkelje të integritetit territorial dhe të sovranitetit, e vendimin e Bashkimit Evropian për to, të dëmshëm e dekurajues për integrimin e serbëve. Megjithëkëtë, kryeministri Albin Kurti, pranon se mundësitë për ndryshim të vendimit janë të vogla.
“E konsiderojmë të padrejtë ,të dëmshme dhe dekurajuese për integrimin e serbët, sidoqoftë Republika demokratike dhe e pavarur e ka forcuar pasaportën e saj si asnjëherë më parë, ndërkaq, ne nuk kemi mundësi të mëdha që të ndikojmë në vendimet e Brukselit”, ka thënë kryeministri Kurti të martën.
Paraprakisht, në një përgjigje me shkrim, nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se pasaportat e lëshuara nga Serbia do të vazhdojnë të mos njihen nga autoritetet kosovare.
Klisman Kadiu, këshilltar për media i zv.kryeministrit Besnik Bislimi, është shprehur se vendimi i Këshillit të Bashkimit Evropian dëmton përpjekjet për integrim të komunitetit serb në Kosovë.
“Secili qytetar i vendit, nga secili komunitet, ka të drejtën e plotë që të përfitojë nga lëvizja e lirë pa viza, përmes pasaportës së Republikës së Kosovës. Andaj, justifikimi i përdorur se bartësit e këtyre pasaportave ilegale do të mbeten të izoluar, është i pasaktë dhe në shpërputhje me realitetin. Poashtu, e pashpjegueshme është dhe ngutia e shfaqur për marrjen e këtij vendimi, pa vërtetuar faktet në terren, pa analizuar implikimet qё munden dhe do tё pёrcjellin zbatimin e vendimit, dhe pa konsultuar që nga fillimi institucionet e shtetit tonë”, ka thënë Kadiu.
Ndonëse vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian e konsideron të gabuar, Mimoza Ahmetaj nga radhët e PDK-së, fajtor për të e ka bërë edhe Qeverinë e Kosovës.
“Ky vendim kontribuon vetëm në distancimin e serbëve të Kosovës dhe inkurajon ata që të mos bëhen pjesë përbërëse e shoqërisë dhe shtetit të tonë. Megjithatë, edhe ky vendim ndërkombëtar që vjen si pasojë për Kosovën, dje e kishte një shkak vendor: Qeverinë e Kosovës! Që nga dita e parë e qeverisjes, pushteti aktual ka pasur një qasje joserioze ndaj dialogut dhe aleatëve tanë. Kjo Qeveri ka treguar paaftësi dhe papërgjegjësi të thellë në veprimet dhe mosveprimet e saj në politikën e jashtme, përmes së cilave po vërtetohet sot se ka dëmtuar edhe interesat e vendit tonë”, ka thënë Ahmetaj, në një konferencë për media, të martën.
Vendimi i BE-së vlerësohet përfundimtar. Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, e sheh të pamundur ndryshimin e vendimit të Këshillit të BE-së.
Përveç si dështim të diplomacisë kosovare, sipas tij, vendimi është edhe pasojë e masave të BE-së ndaj Kosovës.
“Diplomacia jonë ka qenë e vetëdijshme dhe do të duhej ta furnizonte me të gjitha argumentet me të gjitha provat të cilat do ta dëshmonin të kundërtën dhe që vendimi i tillë do të minonte edhe vet interesin e BE-së për të sjellë paqe dhe stabilitet në rajonin e Ballkanin Perëndimor dhe e dyta këto janë po ashtu pasojat e asaj që tashmë jetën po e bëjmë nën sanksione të BE-së kur dihet fakti që pos diplomacisë të gjitha nivelet e larta politike në Kosovë ka kohë që nuk realizojnë, u mohohen takimet me autoritetet e lartë të BE dhe në këtë drejtim me mohimin e tyre iu është mohu e drejta për t`i informu për pasojat e një vendimi eventual”, ka thënë Hoti.
Sipas tij, vendimi i Këshillit e minon dhe degradon pushtetin në Kosovë dhe përpjekjet e bëra për konsolidimin e vendit.
“Sido që të jetë nga perspektiva e BE-së kjo reflekton fund e krye qasjen politike që ka BE-ja, një qasje ambigiutive për faktin që siç dihet një numër i vendeve të BE-së nuk e shohin Kosovës me dioptri të një shteti krejtësisht të pavarur dhe sovran dhe si duket këto vende kanë bërë, kanë krijuar hapësirën për tu marrë vendime të tilla çfarë kemi parë në ditët e fundit”, ka thënë ai.
Rregullorja që lejon heqjen e vizave për serbët e Kosovës që bartin pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese në Beograd, është miratuar të hënën nga Këshilli Evropian.
Paraprakisht, votën pro kësaj rregulloreje e kanë dhënë deputetët e Parlamentit Evropian, në prill të këtij viti.